Si u zbulua trafikimi e dhunimi i 11-vjeçares përmes një telefoni?

Detaje të reja nga dosja e prokurorisë tregojnë se organeve të rendit iu është dashur më shumë se 2 muaj kohe për të ardhur te rezultatet e ekzaminimit të telefonit të 11-vjeçares.

E nga këto rezultate prokuroria po e mbështet dyshimin se e mitura 11-vjeçare u dhunua e trafikua në muajin qershor të këtij viti.

Sipas dosjes se prokurorisë kuptohet se raporti i ekzaminimit te telefonit nga Agjencia Forenzike e Kosovës është dorëzuar në polici para dy ditëve, e krimet ndaj 11-vjecares pretendohet të kenë ndodhur në qershor.

Në dosjen e prokurorisë, si prova që mbështesin dyshimin për dhunimin e trafikimin e 11-vjeçares, janë listuar deklaratat e të dyshuarve, një dëshmitari si dhe të dhënat që kanë dalë nga ekzaminimi i telefonit.

6 të dyshuarit për dhunimin, trafikimin dhe veprën e ofrimit të shërbimeve seksuale kanë dalë sot para gjykatës.

KALLXO.com me herët ka publikuar pamjet e sjelljes së të dyshuarve në gjykatë.

Detaje të reja tregojnë për tmerrin e 11-vjeçares e cila brenda një dite po pretendohet se ka pasur gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale.

Dosja e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com flet se gjashtë të dyshuarit brenda një dite dyshohet se kanë dhunuar e kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në motele të ndryshme.

Ngjarja pretendohet se ka ndodhur më 21 qershor të këtij viti ndërsa të dyshuarit, disa prej tyre kanë vendosur që të miturën ta prezantojnë me njëri-tjetrin dhe veprimet e dyshimta janë kryer që nga mëngjesi i hershëm.

Gjashtë persona janë arrestuar dje nga ana e policisë në lidhje me dyshimet për trafikim të së miturës e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të tjerë javën e kaluar.

Në total deri më tani janë 11 të arrestuar në lidhje me rastin e 11-vjeçares, në dy raste të ndara.

Dosja e dytë, për rastin e dhunimit dhe shërbimeve seksuale që dyshohet se ka ndodhur në qershor, flet për të arrestuarit me inicialet D. Rr., 23 vjeçar, G.S., 25 vjeçar, B.S., 26 vjeçar, F.S., 22 vjeçar, M.S., 22 vjeçar dhe M.R., 21 vjeçar.

Gjashtë të dyshuarit po dyshohen për trafikim me njerëz, shërbime seksuale dhe dhunim të 11-vjeçares.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.

Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale për një ditë  

Detaje të reja: 11-vjeçarja dyshohet se u dhunua e u shfrytëzua seksualisht nga ora 8 e mëngjesit deri në mbrëmje