Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale për një ditë  

Detaje të reja tregojnë për tmerrin e 11-vjeçares, e cila brenda një dite po pretendohet se ka pasur gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale.

Dosja e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se si gjashtë të dyshuarit brenda një dite dyshohet se kanë dhunuar e kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në motele të ndryshme.

Ngjarja pretendohet se ka ndodhur më 21 qershor të këtij viti ndërsa të dyshuarit, disa prej tyre kanë vendosur që të miturën ta prezantojnë me njëri-tjetrin dhe veprimet e dyshimta janë kryer që nga mëngjesi i hershëm.

Gjashtë persona janë arrestuar dje nga ana e policisë në lidhje me dyshimet për trafikim të së miturës e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të tjerë më 27 gusht. Në total deri më tani janë 11 të arrestuar në lidhje me rastin e 11-vjeçares, në dy raste të ndara.

Dosja e dytë, për rastin e dhunimit dhe shërbimeve seksuale që dyshohet se ka ndodhur në qershor, flet për të arrestuarit me inicialet D. Rr., 23 vjeçar, G.S., 25 vjeçar, B.S., 26 vjeçar, F.S., 22 vjeçar, M.S., 22 vjeçar dhe M.R., 21 vjeçar. Gjashtë të dyshuarit po dyshohen për trafikim me njerëz, shërbime seksuale dhe dhunim të 11-vjeçares.

Sipas dosjes së prokurorisë, i pandehuri D.Rr., 23 vjeçar, dyshohet se më 21 qershor 2022 rreth orës 8 në mëngjes ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë të 11-vjeçares.

23-vjeçari kishte rënë në kontakt me 11-vjeçaren përmes rrjetit social Viber, ndërsa kishin lënë takim në një lokacion në kryeqytet e më pas i njëjti e kishte marrë 11-vjeçaren e kishte dërguar në një motel edhe pse ishte në dijeni se viktima ishte e mitur kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

I njëjti po dyshohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale të dhunimit.

D.Rr., përveç dyshimit për dhunim, prokuroria pretendon se i njëjti pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me 11-vjeçaren, i ka aranzhuar takim viktimës me personat e tjerë, B.S dhe G.S, me qëllim të shfrytëzimit të saj seksual.

D.Rr. 23-vjeçar po dyshohet edhe për trafikim me njerëz.

Dy të pandehurit tjerë, G.S., 25 vjeçar dhe B.S, 26 vjeçar, dyshohen se e kishin shfrytëzuar seksualisht të miturën më 21 qershor 2022, të njëjtit e kishin dërguar të miturën në një motel ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me të.

25 dhe 26-vjeçari po dyshohen për shërbime seksuale.

I pandehuri tjetër F.S., 22 vjeçar, po dyshohet që në ditën e njëjtë, ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në një motel.

Fillimisht dosja e prokurorisë tregon se 22-vjeçari kishte rënë në kontakt me 11-vjeçaren përmes rrjeteve sociale e më pas ishin takuar dhe kishin vazhduar në një motel.

22-vjeçari po dyshohet për veprën penale të dhunimit.

Të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar edhe me dyshimin për trafikim me njerëz pasi që dyshohet se i njëjti i kishte aranzhuar takim 11-vjeçares me persona të tjerë me qëllim të shërbimit seksual.

I pandehuri tjetër M.R., 21-vjeçar, dyshohet se kishte shfrytëzuar seksualisht të miturën ndërsa me viktimën kishte rënë në kontakt përmes F.S.

21-vjeçari M.R., po dyshohet për shërbime seksuale me viktimën si dhe veprën e dhunimit.

M.R., ishte takuar me viktimën në kryeqytet e më pas kishin vazhduar në një motel dhe aty dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.