Si e përmirësoi cilësinë e ajrit një nga qytetet më të ndotura në Evropë

Ish kryeqyteti i Polonisë, Krakov, njëkohësisht qyteti historik i këtij vendi ka qenë një nga rajonet më të ndotura në Evropë sa i përket cilësisë së ajrit.

Sipas të dhënave, përqendrimi i grimcave të PM10 dhe PM2.5 ka qenë shumë i lartë gjatë stinës së dimrit.

Në një studim të bërë në vitin 2021 thuhet se burimi kryesor i ndotjes së ajrit në Krakov vinte nga djegia e lëndëve të ngurta në kaldaja shtëpiake të vjetruara, përgjegjëse për 72% të PM10, 73% të PM2.5 dhe 86% të përqendrimeve të benzo(a)pirenit.

Problem ky shumë i ngjashëm me shkaktarët e ndotjes në Kosovë aktualisht.

Për të evituar këtë problem dhe për t`u bërë pjesë e standarteve të pranuara nga Bashkimi Evropian, rezoluta e parë kundër smogut për Krakovin u miratua në vitin 2013, derisa e dyta në vitin 2017.

Masat që u implementuan

Masat që u implementuan në përmirësim të cilësië së ajrit nisën qysh nga viti 2015 ku ligji kundër smogut u lejoi qeveria vendore t’i miratojnë rregulloret lokale të cilësisë së ajrit dhe të vendosin parametra për përdorim të shporetave dhe thëngjillit si lëndë djegëse.

Objektivi i këtij vendimi ishte përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe reduktimi i emetimeve të GHG-ve duke shkëmbyer burimet e nxehtësisë dhe duke përmirësuar efikasitetin e energjisë në ndërtesat me një familje. Buxheti për këtë plan ishte 24 miliardë euro dhe përfshinte periudhën 2019-2029.

Qëllimi i këtij plani është ndërrimi i 3 milionë instalimeve të ngrohjes në qytetin e Krakovit.

Hap për këtë ndryshim u mor që të mos subvencionohen familjet me pajisje ngrohëse jo efikase, por vetëm ato që kanë të bëjnë me instalime me gaz, vaj, ngrohje elektrike.

Qëllimi tjetër i këtij plani përfshinte edhe zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit komunal të ngrohjes dhe rrjeteve të shpërndarjes së gazit për të lidhur përdorues të rinj.

Po ashtu, në plan u përfshi edhe subvencionimi i faturave për personat që kanë kosto të shtuara të faturës pas ndërrimit të shporetave ashtu si ishte kërkuar nga niveli lokal me reformën e re.

Subvencioni i ndërtesave me një familje iu dha atyre që kanë zëvendësuar sistemin e ngrohjes nga ajo e ngurtë në eko-ngrohje. Në subvencionim përfshihej edhe izolimi i mureve të jashtme dhe tavaneve të ndërtesës.

Sipas të dhënave, vetëm në periudhën 2018-20 u izoluan 350 ndërtesa.

Më anë të këtij plani, komuna kishte bërë edhe një aplikacion që u mundësonte banorëve të raportonin djegje nga materie të ngurta dhe emetim të tepërt.

Pjesë e këtij plani ishte edhe aplikimi i gjobave me para për ata që shkelin rregullat. Vëzhgimi i kësaj rregulloreje ishte bërë përmes dronëve ku bëhej edhe auditim termik i ndërtesave.

Lidhur me gjithë këto reforma, u hapën edhe pika të ndryshme informative ku qytetarët mund të këshilloheshin për rregulloren e re sa i përket smogut.

Vetëm në vitin 2019, në Krakov mbi 39 mijë qytetarë kanë kërkuar shërbim për këshillim sa i përket këtij rregulli.

Rezultati i reformave

Rezultat i gjithë kësaj reforme doli të jetë se në vitin 2020, 96,5 % e ndërtesave në Krakov kanë pasur sistem pro-ekologjikë të ngrohjes, kjo si rezultat i ndryshimeve në ligjin kombëtar dhe vendor si dhe promovimit vendor të edukimit ekologjik.

Derisa, edhe vlerat e grimacve PM 10 DHE pm 2.5 ranë në nivel të pranueshëm për BE-në.

Në vitet 2012-2020 ishin çmontuar 25,250 furra. Kjo ka bërë të mundur shmangien e djegies deri në 397,000 ton qymyri.

Rezultat i këtij suksesi ka qenë edhe bashkëpunimi në nivelin komunal dhe qendror.

Derisa, niveli i mbetur i ndotjes në  Krakov tani vjen më shumë nga komunat fqinje.

 

Për të dhëna të detajuara dhe monitorimin dhe parashikimin e cilësisë e ajrit mund të informoheni duke klikuar në portalin e IHMK-së: airqualitykosova.rks-gov.net

Po ashtu për informata rreth ndikimit të ajrit në shëndetin tuaj mund të klikoni në portalin e IKShPK-së: ajri.niph-rks.org/sq/airquality-sq

Ju mund ta shkarkoni në pajisjen tuaj smart edhe aplikacionin për monitorimin dhe parashikimin e cilësisë ajrit Air Quality in Kosovo.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.