FOTO : ZKM
Shtendosje në veri dhe angazhim në dialog, kërkesat e Von der Leyen për Kurtin
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Athinë është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti
Von der Leyen ka thënë se me Kurtin ka folur për nevojën për shtendosje të situatës në veri të Kosovës dhe për riangazhim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Kam diskutuar me kryeministrin Albin Kurti për nevojën për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, riangazhim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe implementim të marrëveshjeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është jetike që të ulen barrierat në rajon dhe të sillet Ballkani Perëndimor më afër BE-së”- ka shkruar Von der Leyen në Twitter.
Përveç Kurtit, në Athinë ajo ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit i ka kërkuar angazhim konstruktiv për shtendosje të situatës në veri të Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të ‘mosdëgjueshmërisë’ për situatën në veri.
Kosova dhe BE janë dakorduar që të zvogëlohet prania policore në veri, si dhe të shpallen zgjedhjet e reja në këto komuna.