Von der Leyen takon Vuçiqin, i kërkon angazhim konstruktiv për shtendosje të situatës në veri të Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një takim me  presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Athinë.

Von der Leyen ka thënë se në këtë takim ka kërkuar nga Vuçiq angazhim konstruktiv për shtendosje të situatës në veri të Kosovës.

“Kam folur me presidentin Aleksandar Vuçiq për nevojën për angazhim konstruktiv për shtendosje të situatës në veri të Kosovë dhe për progresin e Serbisë në rrugën drejt BE-së. Integrimi më i ngushtë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është jetik, veçanërisht përballë luftës ruse kundër Ukrainës” – ka shkruar Von der Leyen në Twitter.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të ‘mosdëgjueshmërisë’ për situatën në veri.

Kosova dhe BE janë dakorduar që të zvogëlohet prania policore në veri, si dhe të shpallen zgjedhjet e reja në këto komuna.

Zëdhënësi i BE-së tregon hapat e mëtutjeshëm për Kosovën, nuk tregon nëse do të largohen masat kufizuese