Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në komuna të ndryshme të Kosovës, kanë ndodhur shtatë raste të dhunës në familje duke përfshirë, dhunën psikike e kanosjen.

Në Prishtinë janë raportuar tri raste sipas policisë.

Më 12 qershor, policia njofton se një vajzë ka raportuar pasi është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga një person.

“Nuk raportohet për të lënduar, rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

Në po të njëjtën datë një vajzë ka raportuar se një person ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Policia ka njoftuar se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, më 13 qershor, është arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës kosovare.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport të policisë.

Rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Prizren.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar; një mashkull dhe një femër kosovarë. Viktima ka refuzuar ndihmën mjekësore ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje dhe dyshuara lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurse, në Pejë, është arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje dhe kishte fyer e penguar personelin mjekësor e zyrtarët policor.

“Po ashtu derisa viktima ishte duke pranuar tretman mjekësor  i dyshuari ka fyer dhe penguar personelin mjekësor dhe zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, është thënë në raport.

Edhe në Malishevë policia ka kryer një arrestim.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka kanosur viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Kurse në Mitrovicën e Jugut një grua ka raportuar në polici se një person ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

“Nuk raportohet për të lënduar, rasti nën hetime”, përfundon njoftimi.