Shqipëri, opozita barrikadon Teatrin Kombëtar ndërsa bashkia vendos në mënyrë surprizë shembjen

Kryetari i opozitës Lulzim Basha u shfaq në mjediset e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e së Enjtes ndërsa një dokument i rrjedhur nga Bashkia Tiranë në orët e mbrëmjes njoftoi për një vendim të marrë në një mbledhje misterioze të Këshillit Bashkiak.

Një dokument që mban firmën e Toni Gogut, kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, i rrjedhur në media sugjeron se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë një vendim për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa mbledhja e këshillit në të cilin supozohet se është marrë vendimi, mbetet mister.

Sipas dokumentit, Këshilli Bashkiak ka vendosur më 14 Maj (sot) “shembjen e ndërtesave të Teatrit Kombëtar” ndërsa sugjeron se vendimi është marrë në bazë të një “akt-ekspertize të Institutit të Ndërtimit, e cila mban datën 13 Maj 2020, d.m.th., dje.

Një këshilltare bashkiake, e cila nuk pranoi të flasë publikisht, i tha BIRN se Këshilli Bashkiak është mbledhur Online.

Beteja për Teatrin Kombëtar, e cila vijon që nga shkurti i vitit 2018, merr në këtë mënyrë një kthesë të re. Kryeministri Edi Rama deklaroi në mënyrë të përsëritur gjatë ditëve të fundit dëshirën e tij të përsëritur për të shembur ndërtesat.

Ndërkohë, kryetari i opozitës Lulzim Basha vizitoi ndërtesat e Teatrit për të mbështetur një numër aktivistësh të cilët vijojnë të bëjnë roje.

Duke i konsideruar vendimet tërësisht të paligjshme, Basha deklaroi se qëndresa e qytetarëve në mbrojtje të ndërtesave të Teatrit është “një vijë e fundit pas të cilës vjen diktatura”.

Mënyra e marrjes së vendimit të Këshillit Bashkiak më datë 14 mbetet e paqartë. Ky këshill nuk ka njoftuar mbledhje për ditën e Enjte sipas përcaktimeve të nenit 16 të ligjit për Vetëqeverisjen vendore, i cili përcakton se nuk mund të ketë mbledhje pa njoftim paraprak të saj dhe se mbledhjet duhet të jenë të hapura.

Një zëdhënës i Bashkisë Tiranë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse shkresa e publikuar është apo jo autentike.

Vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka njoftuar në Tëitter një mbledhje për ditën e Hënë ndërsa Këshilli Bashkiak në faqen e internetit të Bashkisë nuk ka publikuar njoftime të thirrjes së mbledhjeve të Këshillit Bashkiak që nga viti 2018 [link].

Beteja për Teatrin Kombëtar filloi në Shkurt 2018, kur qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi planet për një kontratë koncesionare kontroverse, e cila dështoi dy vjet më vonë pas rezistencës së aktivistëve, të cilët e denoncuan atë njëkohësisht si një shembull tipik i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe memories historike të vendit.

Shqipëria gjendet aktualisht në situatën e Katastrofës Natyrore për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri dhe qeveria ka urdhëruar ndalimin e protestave. Por kjo nuk duket se ka ndalur aktivistët për të vijuar protestën te Teatri Kombëtar.

Udhëheqësit e opozitës kanë bërë të ditur ndërkohë se plani i tyre është për një mbrojtje fizike të Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të vazhdim.

Vendimi i Këshillit Bashkiak i marrë të Enjten duhet fillimisht të publikohet dhe hyn në fuqi dhjetë ditë pas publikimit/Reporter.al/.