Alpinistët kroatë në Majën e Jezercit, Foto: Taulant Balla/Facebook

Shqipëri, ministri Taulant Balla njofton për gjendjen e alpinistëve në Majën e Jezercit

Ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri, Taulant Balla teksa ka ndarë një video të shërbimeve të Policisë dhe ekipit të kërkim-shpëtimit, ka njoftuar për gjendjen e turistëve që Policia e Shtetit tha se mendohet të jenë shtetas kroatë e të cilët ishin ngjitur në Majën e Jezercit, më 30.03.2024.

Ashtu siç ka njoftuar Policia, ky grup alpinistësh janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces” dhe kanë raportuar se njëra nga anëtarët e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.

Me të marr këtë raportim, Policia tha se menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.

Këto shërbime të Policisë kanë arritur t’i lokalizojnë turistët, porse turistja kroate që u raportua se kishte rënë nga një terren malor me borë, kishte vdekur.

Në videon e postuar nga ministri Balla, shihet se si kanë vepruar ekipet e shpëtimit. Ata shihen duke e nxjerrur trupin e turistes së vdekur dhe duke i ndihmuar turistët tjerë.

Sipas ministrit Balla, prej disa orësh Policia në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës u përfshinë në këtë operacion në malin e Jezercës, të cilin ai e ka vlerësuar të vështirë.

Balla ka thënë se grupi i aplinistëve kishin hyrë nga territori i Malit të Zi dhe kishin mbetur të bllokuar në majën e Jezercës. 

Me këtë rast, ai ka njoftuar për gjendjen e alpinistëve tjerë.

“Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë i një shtetasje, e cila kishte humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes në një zonë të thepisur dhe me borë. Pesë nga alpinistët kroatë të asistuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, po kthehen tek mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi. Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit” – ka shkruar ministri Balla, në profilin e tij në Facebook.