Shqipëri, Policia njofton se një turiste kroate ka vdekur në Majën e Jezercit

Policia e Shtetit në Tropojë ka njoftuar se një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces” kanë raportuar se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.

Me të marr këtë raportim, Policia thotë se menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.

Këto shërbime të Policia kanë arritur t’i lokalizojnë turistët, porse turistja kroate që u raportua se kishte rënë nga një terren malor me borë, kishte vdekur.

“Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”. Turistja kroate, shtetasja Z. L., 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshkitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën” – thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare më 30.03.2024.

Si përfundim, Policia njofton se ekipi i kërkim-shpëtimit ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut.