Shoqata e të Drejtave të Pacientëve kërkon nga Oda e Mjekëve trajtim të rastit të vdekjes së pacientit pas operimit në QKUK

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar për rastin e vdekjes së pacientit në QKUK disa orë pas operimit.

Pamje nga operacioni ka shpërndarë në rrjete sociale kirurgu Kushtrim Shala, sipas të cilit operacioni “David” është bërë për herë të parë në Kosovë.

Kodra ka thënë se Oda e Mjekëve të Kosovës duhet ta trajtojë seriozisht këtë rast.

“OMK duhet ta trajtojë seriozisht këtë rast … sidomos pas deklaratës së drejtorit të klinikës! Nëse gjenden shkelje atëherë kemi të bëjmë me vepër penale.  Në shëndetësi komplikimet gjithmonë mund të jenë pjesë e procesit të trajtimit … por, eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë!” – ka shkruar ai në Facebook.

Të mërkurën, kirurgu Shala e ka paraqitur si sukses operacionin “David” te një pacient, duke thënë se është i pari i tillë që po realizohet në QKUK. Mirëpo, Telegrafi raportoi se disa orë më vonë, pacienti ka vdekur.

Drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, ka thënë për Telegrafin se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur.

Ai tutje ka thënë se ka kërkuar që ky rast të hetohet, ndërsa ka deklaruar se në koordinim me drejtorinë e SHSKUK-së do të merren masat e nevojshme.

“Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Ju e dini se është e ndaluar me rregullore të ShSKUK-së publikimi i rasteve të tilla. Kjo është shkelja e parë që e kanë bërë mjekët dhe sigurisht se duhet të merren masa. Duhet po ashtu të bëhet një vlerësim i rastit”.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka thënë se drejtorët e klinikave janë të njoftuar që nuk u lejohet publikimi i shkrimeve, fotografive dhe materialeve të tjera nga institucionet ku punojnë, pa autorizim paraprak nga Zyra për Medie dhe Marrëdhënie me Publikun në SHSKUK, prandaj, sipas institucionit, drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisë ka obligim që të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi për mosrespektim të kësaj urdhërese.

KALLXO.com ka dërguar pyetje lidhur me rastin edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.