Shkeljet që i konstatoi Auditori në RTK nën udhëheqjen e bordit dhe menaxhmentit të ri

Zyra Kombëtare e Auditimit, ZKA, ka publikuar raportin për auditimin e RTK-së për vitin 2022 me të cilin ka konstatuar se ka patur shkelje në mënyrën e shpenzimit të parasë publike.

Në raportin e publikuar të martën më 27.06.2023, Auditori i liston një grumbull parregullësish financiare që janë hasur gjatë menaxhimit të RTK-së në vitin 2022, vit ky në të cilin udhëheqës i menaxhmentit të RTK-së ishte Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kryetar i bordit ishte Besnik Boletini, njëkohësisht gazetar i OJQ Çohu. 

Një prej arsyeve pse Auditori konstatoi se ka patur shkelje në mënyrën e shpenzimit të buxhetit është shpenzimi i rreth gjysmë milioni euro i buxhetit të RTK-së për blerje të shërbimeve të ndryshme duke i shkelur rregullat e prokurimit publik dhe duke aplikuar tenderë një-burimor pa i respektuar procedurat e prokurimit. 

Në faqen 12 raporti i ZKA-së thotë se “gjatë auditimit të procedurës së prokurimit ‘Rrjeti i lajmeve ndërkombëtare’ me vlerë prej 171,540 euro kemi vërejtur se RTK-ja ka përdorur procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit, pra kishte zhvilluar procedurë të negociuar me një operator”. 

Raporti thekson se “RTK-ja ishte përcaktuar për lajme ndërkombëtare dhe kishte negociuar vetëm me një operator ndërkombëtar të lajmeve, duke mos krijuar mundësi të konkurueshmërisë kur dihet se ka shumë operatorë ndërkombëtarë që ofrojnë këtë lloj shërbimi”.

Ahmetxhekajt i ishte kërkuar të jepte sqarime për këtë kontratë edhe para Komisionit parlamentar në prill të këtij viti për shkak se nuk kishte lënë mundësi që agjencitë tjera të ofrojnë këtë shërbim duke ditur se në Kosovë ekziston më së paku edhe një agjencion tjetër ndërkombëtar i lajmeve po aq i njohur, Associated Press (AP), si dhe agjencione tjera si AFP që ofrojnë lajme ndërkombëtare. 

Sipas raportit të ZKA-së, me këtë kontratë, jo vetëm që ishte dëmtuar konkurueshmëria por RTK kishte lejuar që kushtet e kontratës t’i caktojë operatori ekonomik, Reuters, e jo vet RTK-ja. 

“Kushtet e ofruara nga operatori ekonomik ishin kohëzgjatja për tri vite e kontratës dhe pagesa me paradhënie për çdo tre muaj, përpara pranimit të shërbimeve, që do të thotë se operatori ekonomik ka pasur rol aktiv dhe jo autoriteti kontraktues mbi këto kushte për t`u nënshkruar kontrata”, thekson raporti i ZKA-së.

Tutje raporti vazhdon të thotë se “lidhja e kontratës me negocim të njëanshëm duke u bazuar në kushtet dhe standardet të vendosura nga ofertuesi i shërbimeve është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi…”. 

I njëjti raport i Auditorit tërheq vërejtjen se procedurat e prokurimit publik ishin anashkaluar edhe për blerjen të shërbimeve audio-vizuele për transmetimin e lojërave Olimpike “Pekini 2022” në vlerë prej 92,354 euro, sigurimi me roje fizike për hapësirat e RTK-së me vlerë prej 174,960 euro, dhe për mirëmbjatje mujore dhe servisimi i ashensorëve në objektin e radios me vlerë prej 9,346 euro.

Sipas ZKA-së “anashkalimi i procedurave të prokurimit…, rrit rrezikun e mosarritjes së vlerës për paranë e shpenzuar dhe mundësisë së përballjes me vështirësi financiare të RTK-së”. 

Në raportin e Auditorit po ashtu theksohet se udhëheqësia e RTK-së është pajtuar me këtë shkelje.

Më 6 qershor Kallxo.com ka bërë kërkesë për çasje në dokumente zyrtare te bordi dhe menaxhmenti i RTK-së për shumë dokumente të cilat do të hidhnin dritë mbi shumë prej këtyre çështjeve që i ka cekur ZKA-ja.

Menaxhmenti i RTK-së thotë që ende është duke “punuar” për t’i siguruar çasje Kallxo-it në dokumentet e kërkuara por, në anën tjetër, bordi i RTK-së ka dhënë çasje në procesverbalet e mbledhjeve të bordit për shkak se ky bord ishte alarmuar disa muaj para se të publikohej raporti i ZKA-së që shkeljet ishin duke ndodhur.

Kjo çështje e ndjeshme e shkeljeve të prokurimit ishte diskutuar në mbledhjen e mbajtur më 23 shkurt 2023. Monitoruesit të Kallxo.com-it, Valon Fanës, i cili atë ditë ishte duke e monitoruar mbledhjen e bordit të RTK-së iu kërkua ta lëshojë mbledhjen në momentin kur erdhi në rend dite pika ku do të diskutohej shpenzimi i parave të RTK-së jashtë rregullave të prokurimit, nën pretekstin se kjo pikë diskutimi “nuk përbën interes për publikun”.

Zyra Ligjore e Kallxo.com menjëherë pas këtij përjashtimi në shkurt bëri ankesë te bordi i RTK-së duke mos e pranuar si të qenë. Bordi i RTK-së nuk u bë pishman për përjashtimin që i kishte bërë monitoruesit.

Por, kur Kallxo.com hasi në një draft të raportit të ZKA në fillim të qershorit, kërkoi nga bordi i RTK-së të dijë se a janë diskutuar ndonjëherë në mbledhjet e bordit të RTK-së çështjet që janë ngritur nga ZKA, bordi i RTK-së këtë radhë, 4 muaj pas, pranoi ta bëjë publik procesverbalin e kësaj mbledhje specifike të cilin e kishte vlerësuar se nuk duhej të monitorohej.

Në faqe 12 të këtij proceverbali Shukrije Rama, anëtare e bordit të RTK-së thotë se “ka vërejtje të prokurimit publik duke e cekur që “gjatë vitit të kaluar janë shpallur disa procedura tenderuese, të cilat ose nuk kanë qenë të parapara fare sipas projeksionit buxhetor ose e kanë kaluar (buxhetin) disa herë. Po ashtu disa procedura kanë qenë sipas procedurës së negociuar, gjë që është në kundërshitm me ligjin për prokurim publik. Këtë e kam të detajuar në dokumentin të cilin do ta dërgojë te ju… Pretendimi im është se drejtori i përgjithshëm ka keqpërdorur procedurat e prokurimit publik përderisa ky është përgjegjës”.

Me këtë rast, Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtori gjeneral i RTK-së mbrohet para Ramës duke thënë: “siç e dini, kontratat nuk janë në vlerë të vogël, andaj këto nuk menaxhohen nga ZKA por nga udhëheqësi i prokurimit. Ne kemi diskutuar në bord për tenderin për sigurim fizik, vendimi është marrë në bord dhe jam i sigurt që ju keni votuar për. Si mund të më thoni keni bërë shkelje që e kam bërë një proces të cilin ju vet e keni votuar? Kur ka filluar lufta në Ukrainë kemi vendosur të marrim një agjencion të lajmeve ndërkombëtare Reuters dhe keni qenë ju që e keni mbështetur një gjë të tillë. Ju vet e keni ngritur dorën të votoni e tani jeni duke më fajësuar mua”.

Shukrije Rama vazhdon duke thënë se kur menaxhmenti konsideron që duhet zhvilluar një procedurë të prokurimit, edhe nëse buxheti nuk ka qenë i paraparë, duhet të kërkojë zyrtarisht nga Autoriteti Qëndror i Prokurimit për revokim të nenit 34, referenca e 17. 

“Këtë unë ja kam dërguar mëe 28 dhjetor 2022. Menaxhmenti ka lidhur kontrata jashtëligjshëm duke mos respektuar ligjin e prokurimit dhe i ka shkel procedurat”, tha Rama.

Asnjë masë ndaj menaxhmentit nuk u ndërmor që nga momenti që ishin ngritur shqetësime në bord të RTK-së se rregullat e prokurimit nuk po respektoheshin. 

Më tutje, shkeljet tjera serioze që kanë shkaktuar RTK-në të merr opinion të kualifikuar nga ZKA është politika e punësimit, avancimit dhe shpërblimit të punonjësve që është bërë jashtë rregullave të RTK-së në vlerën e mbi 6000 euro që janë identifikuar në shembujt që i ka inspektuar auditori.

Në faqe 20 ZKA thotë se Ahmetxhekaj ka emrëruar 5 punonjës në pozita drejtuese pa procedura të konkursit. Auditori përkujton RTK-në se këto emërime, edhe sipas Inspektorati i Punës, IP, ishin në kundërshtim me rregullativën ligjore të vet RTK-së. 

Çka është për t`u çuditur është që RTK në 2022, me bordin e menaxhmentin e ri, e ka përsëritur një shkelje për të cilën ish bordi dhe ish menaxhmenti i RTK-së ishin kritikuar shumë dhe madje ishin shkarkuar. Kjo ka të bëjë me çështjen e pagesave shtesë në paga dhe shpërblimet financiare për stafin ekzistues të RTK-së. Kjo praktikë ishte identifikuar qartë në raportin e ZKA-së 2019-2021 dhe të cilën RTK e re ishte përkushtuar ta ndërronte. 

Por, bordi i tanishëm e kishte toleruar menaxhmentin e tanishëm i cili deri në qershor të vitit 2022 dha shpërblime dhe shtesa për të punësuarit pa miratimin e bordit, edhepse e pati kërkesën e qartë nga komisioni parlamentar për buxhet që RTK duhet të shkurtonte shpenzimet në paga për shkak se 80% e gjithë buxhetit të RTK-së shpenzohet në paga.
Specifikisht, në faqe 21 ZKA thotë se nuk është zbatuar vendimi i bordit i vitit 2019 për ndalesat e shpërblimeve dhe shtesave. 

“Gjatë auditimit në tri raste, edhe këtë vit, kemi vërejtur se RTK-ja kishte paguar shpërblime për punonjës. Në 3 rastet kemi vërejtur se autorizimet e dhëna ishin për pozita të cilat nuk ishin pjesë e rregullores për metodologjinë e përcaktimit të ndërlikueshmërisë në punë, mirëpo ishin pjesë e Organogramit. Kosto e shpërblimeve për këta persona ishte 6,419 euro. Për këto lëvizje të stafit në pozita nuk ka dëshmi se ka pasur miratim nga bordi i RTK-së”, thotë raporti.

Ky raport i ZKA-së zbuloi se bordi i tanishëm i RTK-së, jo që ka kërkuar nga menaxhmenti që të mos i bëjë shpërblime financiare shtesë stafit ekzistues por madje ja ka ndihmuar kur më 7 qershor 2022 e shfuqizon vendimin që e kishte marrë ish bordi i RTK-së në 2019 me të cilin vendim pezulloheshin shpërblimet, shtesat dhe çdo formë tjetër e pagesës jashtë pagës së rregullt mujore të të punësuarit. 

Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së në një nga raportimet para Komisionit Parlamentar

Auditori konstaton avancime në kundërshtim me rregulloren RTK-së

Mes tjerash, raporti i ZKA në faqe 27 konstaton që në RTK janë bërë avancime të pozitave të punës në mospajtim me rregulloren e RTK-së. 

Edhe kjo çështje ishte diskutuar në mbledhjen e 23 shkurt 2023 kur monitoruesi i Kallxo.com është përjashtuar.

Sipas procesverbalit, anëtarja e bordit Shukrije Rama i kishte bërë pyetje drejtorit gjeneral: “Arsim Halilin e keni caktuar si ndihmës drejtor i RTK2 me pagë 1400 euro. A ekziston si vend i punës ‘ndihmës drejtori”? Ju nuk na keni njoftuar për emërimin e tij në këtë pozitë. Rast i tillë është edhe emërimi i koodrinatorit të zyrës në Prizren, zotëri Muhamet Rexhaj, i cili përveç pagës bazë merr shtesë edhe prej 390 eurove. Gjithashtu, si e arsyetoni emërimin e zotit Enver Bajramit i sistemuar si redaktor i edicionit ku i njejti kryen edhe detyrat e redaktorit përgjegjës të programit në kuadër të udhëheqësisë së planifikimeve, i cili merr pagë shtesë 203 euro”.

Shkumbin Ahmetxhekaj i përgjigjet që “…Arsim Halilin e kam emëruar në këtë pozitë jo për punën të cilën ka me e kry në RTK2 por për proceset në të cilat ka bërë ndryshime. Me zotëri Halili i kemi dorëzuar 8 dosje në prokurori, dhe pozita e tij ekziston në organiogram i cili është bërë në vitin 2019”.

Fjala është për vendimin që Ahmetxhekaj e kishte marrë më 1 shtator 2022 kur Arsim Halilin e kishte “autorizohet që t’i kryej detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës “ndihmës i drejtorit të përgjithshëm të RTK2” duke i caktuar, me një vendim arbitrar, pagën në vlerë prej 1404 euro.

Në përshkrimin e punës së detyrave që Ahmetxhekaj i kishte bërë Halilit në këtë vendim, ai e demanton vetveten sepse aty thotë që Halili caktohet si ndihmës drejtor i përgjithshëm i RTK2  me idenë që të mirret me “menaxhimin e veprimtarisë së RTK2, në pajtim me ligjin e RTK-së, statutin dhe kodin etik të RTK-së, në administrimin e përgjithshëm dhe menaxhimin e RTK2 duke siguruar funksion efektiv dhe efikas; në mbikqyrjen e punës së të gjitha shërbimeve, departamenteve dhe njësive të RTK2; në zgjedhjen dhe shkarkimin e personelit të RTK2”. 

Pra përderisa në vendim thotë që pozita e Halilit ka të bëjë me RTK2, në mbledhje të bordit thirret që pozita e tij nuk ka të bëjë me RTK2. Sot Arsim Halili është drejtor i Radios në RTK.

Kur parregullësitë ishin identifikuar në raportet e tjera të ZKA-së kishte ardhur edhe deri te shkarkimi i anëtarëve të menaxhmentit të lartë

BIRN ka dërguar pyetje te bordi dhe menaxhmenti i RTK-së kur këto gjetje të ZKA-së janë evidentuar edhe në draftin e raportit përfundimtar që i ka parapri raportit të 27 qershorit. 

Besnik Boletini ka kthyer përgjigje duke thënë “ Bordi i RTK-së do të angazhohet dhe përkujdeset për të adresuar të gjitha gjetjet e ZKA-së si dhe do të zbatojë rekomandimet e ZKA-së. Raporti i ZKA-së është shumë i mirëseardhur dhe do të na ndihmojë në përmirësimin e situatës në RTK”.

Lidhur me mbylljen e bordit për monitorues kur janë diskutuar çështje që tash po dëshmohet që kanë qenë në interes të publikut Boletini ka thënë: “Lidhur me disa mbledhje që i mbyllim si bord, janë kryesisht çështje që kanë të bëjnë me auditim të brendshëm, kur diskutojmë për të çështje përmenden emra konkret. Edhe mbledhjes që ju po i referoheni kemi pasur një njoftim nga njëra anëtare e bordit, se e ka një evidencë me disa pretendime serioze. E njëjta ka kërkuar dokumente nga menaxhmenti të cilat i ka marrë përmes kryetarit të bordit dhe ne si bord e kemi caktuar një pikë të rëndit të ditës për t’i diskutuar në detaje këto pretendime dhe t’i ballafaqojmë faktet dhe argumentet duke i dhënë hapësirë drejtorit të përgjithshëm të përgjigjet. Pra, në raste të tilla, kur mund të ketë pretendime, ku përmenden emra konkret dhe raste, e që janë në nivel të pretendimeve, raportimi në kohë reale do të mund të cenonte privatësinë e tyre. Prandaj kërkesa për largimin e monitoruesve është bërë për këtë arsye”. 

Ndërsa Ahmetxhekaj ka kërkuar kohë deri me 30 qershor për t’i adresuar pyetjet e Kallxo dhe çasjen në dokumente:

Më 27 qershor Ahmetxhekaj ka thënë “RTK-ja si në të gjitha kërkesat tuaja paraprake do të ofrojë qasje në dokumentet e kërkuara. Ne operojmë me politikën e transparencës së plotë dhe nuk kemi asgjë çfarë të fshehim. Duke marr parasysh angazhimet e shumta me raportime dhe reformën (dhe festa), ju njoftoj se nga ana e menaxhmentit, përgjigjjet dhe dokumentet e kërkuara, do t’i keni më së largu deri të premten me 30.06.2023”.

Shënim i redaksisë

Pas publikimit të shkrimit, drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka dërguar demantin, të cilin mund ta gjeni në këtë link: Demanti i RTK-së

Ndërsa, përgjigjen e BIRN-it ndaj demantit të RTK-së mund ta gjeni në këtë link: Përgjigja e BIRN ndaj demantit të RTK së.