Perparim Rama, Donjeta Sahatciu, Alban Zogaj/Facebook
Shkarkimi i drejtorit të PDK-së nga kryetari Rama, Sahatçiu e quan revansh ndaj qëndrimit të tyre për Badovcin
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka deklaruar se shkarkimi i drejtorit të shërbimeve publike, Ilirk Musliu nuk ka të bëjë asgjë me mbeturinat, por qëndrimin e PDK-së lidhur me këmbimin e pronave në Badovc.
Ajo përmes një shkrimi në rrjetin Facebook këtë veprim të kryetarit e ka cilësuar si revansh për qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje.
“Ilirik Musliu ka qenë motori i qeverisjes së mirë të PDK në Prishtinë. Me Ilirik Musliun, problemi i mbeturinave as nuk ka fillu e as nuk ka pasë mundësi me u mbyll. Ky është problemi më kompleks i Kryeqytetit, e për këtë kemi shumë për të thënë”- shkroi ajo.
“Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik”- shtoi nënkryetarja Sahatçiu.
Ajo madje theksoi se ky shkarkim u bë përmes rrjeteve e sociale pa e konfirmuar tek vetë Musliu.
“Na duket si revansh politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale”- potencoi ajo.
Nënkryetarja madje përmendi edhe raste tjera kur kryetari nuk ishte konsultuar me partnerin e koalicionit për marrje të vendimeve.
“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U. D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë”- thesoi më tej Sahatçiu.
Tutje ajo theksoi se, më 2 shkurt 2022 me Ilirikun i’u bashkuan qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.
Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.
PDK në kryeqytet përmes një konference më 31 janar deklaruan se bojkotuan tre senaca të Kuvendit Komunal pasi ky i fundit është shndërruar në fushë betejë pronash.
Më 25 janar 2024, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media tha se ishin cak i sulmeve sa i përket çështjes së këmbimit të pronave në zonën e mbrojtur të Badovcit me prona në lagjen ‘Prishtina e Re’.
Rama deklaroi se ky proces ka filluar më shumë se dy vjet para se ai të vinte në postin e kryetarit të Prishtinës dhe kanë respektuat vendimet e Ministrisë.