PDK në kryeqytet: LVV u mundua të shfajësohet për këmbimin e pronës në Badovc
Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës në një konferencë për media tha se kanë bojkotuar tre seanca për shkak që, sipas tij, Kuvendi Komunal është shndërruar në fushëbetejë pronash.
Sipas tij, grupi i asamblistëve të Vetëvendosjes u mundua të shfajësohet me planin për inicim të propozimit për anulim të vendimit për pronën e këmbyer në Badovc.
“Sot është herë e tretë që nuk po marrim pjesë në mbledhjen e Kuvendit Komunal, është muaji i dytë që Kuvendi është shndërruar në fushëbetejë pronash. Në mbledhjen e dhjetorit u votua këmbimi i pronave që në qendër kishin Badovcin me kuorum të mundësuar nga opozita në krye me LVV, sot këta iniciuan anulim të këtij vendimi”- u shpreh Retkoceri.
Ai theksoi se PDK nuk e kishte përkrahur këtë këmbim as në vitin 2020.
“Ne e kemi ditur që kjo temë do kthehet në diskurs publik, nuk e kemi përkrahur as në vitin 2020, Badovci duhet të ruhet nga ndërtimet e këmbimet me çdo kusht. PDK si pjesë e koalicionit këtë nuk e mbështet në Kuvend”- shtoi ai.
Retkoceri tutje theksoi se partneri i koalicionit në krye me Përparim Ramën beson se vendimi është i duhur dhe këtë e ka paraqitur edhe në konferencën për media.
“Vendimi u mundësua vetëm pse LVV çuditshëm qëndroi në sallë, derisa në shumë mbledhje të kaluara LVV nuk ka qëndruar në sallë. Më vonë një përfaqësues i tyre ka deklaruar se atyre pronarëve komuna u ka borxh dhe kjo, sipas tyre, është e pakontestueshme” – shtoi ai.
Kurse, planin e LVV-së që në seancën e sotme të iniciohej shfuqzimi i vendimit, sipas tij, ishte përpjekje për shfajësim.
“Përpjeka e sotme për anulim të një vendimi që vetë LVV e ka mundësuar është përpjekje për shfajësim nga një e keqe publike dhe ndryshim të provave para një vendimi. MAPL tashmë ka anuluar aktin e ligjshmërisë. Kë po do LVV ta shfajesojë me këtë veprim?”- u shpreh Retkoceri.
Retkoceri nuk foli nëse ka rrezik për prishje të koalicionit qeverisës në Komunën e Prishtinës.
“Nuk mund ta them rrezikun për prishje koalicioni, ne do kthehemi në seancë vetëm kur të ketë koordinim dhe hartim të mirëfilltë të agjendës dhe të gjitha pikat të jenë të koordinuara mes partnerëve”- shtoi ai.
Ai po ashtu nuk u përgjigj nëse kryetari Përparim Rama i kishte ftuar në takim si partner koalicioni për t’ua dëgjuar shqetësimet.
“Nuk mund ta them këtë, nuk e di se më kë mund të ketë kontaktuar kryetari Rama”- u shpreh më tej ai.
Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës që pritej të mbahej sot.
Në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendosje pritej të hidhte në votim anulimin e vendimit të datës 21.12.2023 për këmbimin e pronës komunale në lagjen “Prishtina e Re”.
Në Asamble nuk u paraqitën asamblistët nga LDK e as nga PDK.
Më 25 janar 2024, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media tha se ishin cak i sulmeve sa i përket çështjes së këmbimit të pronave.
Rama tha se ky proces ka filluar më shumë se dy vjet para se ai të vinte në postin e kryetarit të Prishtinës.
“Kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit. Jemi duke zbatu një proces të rregullt, i miratuar nga Asambleja Komunale dhe është ende proces i papërfunduar. Në këtë rast, kemi ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjorë në bazë të vendimeve të ministrive, pasi që pala ka pasë vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës e që e obligon kryeqytetin me vepru”- deklaroi Rama.
Prishtinë, dështon seanca në të cilën do të kërkohej anulimi i vendimit për këmbim pronash