Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shifrat alarmante të të vdekurve me COVID, reagon presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas bilancit të zi rekord të rasteve me koronavirus.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zinxhirin e infektimeve si mbrojtja e vetme dhe më e mirë.

“Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë”, shkruan Osmani.

36 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Kosovë, si pasojë e infeksionit me koronavirus. Ky është numri më i lartë i viktimave si pasojë e kësaj sëmundjeje që nga shpërthimi i saj në mars të vitit të kaluar.

36 vdekje, mblidhet Këshilli i Sigurisë