Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Shfuqizohet vendimi i qeverisë Hoti që i jepte mandat të tretë Kryeinspektorit të Inspektoratit të Tregut

Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Albin Kurti ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë Hoti për t’i dhënë edhe një mandat të tretë Kryeinspektorit të Inspektoratit të Tregut.

Sipas kryeministrit Kurti, një vendim i tillë ka qenë i pa ligjshëm.

“Vendimi ka qenë i pa ligjshëm me që ligjërisht lejohen vetëm dy mandate për nënpunësit e kategorisë së lartë drejtuese”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e ka shpjeguar në mënyrë kronologjike mandatin për këtë pozitë.

Hajdati tha se shfuqizimi i vendimit për vazhdimin e mandatit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Tregut, Lulzim Syla, vjen pasi ai është zgjedhur tri mandate në këtë pozitë.

“Syla është emëruar Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut 25 qershor 2014 për një mandat 3 vjeçar. Gati një vit pas përfundimit të mandatit të parë, zoti Syla është emëruar për mandat të dytë i është vazhduar mandati për 3 vjet duke iu referuar ligjit për shërbyesit civil të Republikës së Kosovës dhe rregullores për pozitat e larta drejtuese në shërbimit civil të Republikës së Kosovës. Në prag të përfundimit të mandatit të dytë, zoti Sylës iu është vazhduar mandati për 4 vjet me vendimin e datës 26 shkurt 2021”, tha ajo.

Hajdari tha se Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut përkatësisht drejtor i përgjithshëm është nëpunës i kategorisë së lartë drejtues.

“Zoti Syla nuk mund të quhet i emëruar për herë të parë sipas ligjit të shërbimit civil meqë ai është emëruar dy herë në bazë të atij ligji në 2014 dhe në 2018. Nga kjo rrjedhë se vendimi i datës 26 shkurt 2021 i ka vazhduar mandatin zoti Sylës në kundërshtim me nenin 42 paragrafi 4 të ligjit për zyrtarët publik dhe neni 26 i rregullores”, tha Hajdari.

Hajdari ka propozuar të miratohet ky vendim me qëllim për të vendosur ligjshmërinë.