Shërbimi Korrektues i Kosovës me masa të reja kundër COVID-19

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, duke vlerësuar gjendjen me pandeminë në vend kanë marr vendim për zbatim të masave kundër COVID-19.

Sipas njoftimit të SHKK-së, secili pjesëtar i stafit, i cili punon në institucione korrektuese dhe nuk është i vaksinuar, nga data 23 gusht 2021, për të hyrë në punë, obligohet që çdo 7 ditë të sjell test RT-PCR, jo më të vjetër se 72 orë, ose test rapid jo më të vjetër se 48 orë;

Në njoftim potencohet se, përjashtim nga pika 1 bënë ai pjesëtarë i stafit, i cili është në proces të vaksinimit, gjegjeshit ka marrë dozën e parë dhe është në proces të marrjes së dozës së dytë dhe ai i cili është vaksinuar me të dyja dozat, ose posedon ndonjë dokument përkatës që konfirmon se personi nuk është i infektuar ose ka fituar imunitet.

Tutje theksohet se, secili i burgosur, i pavaksinuar, pas daljes nga institucioni, qoftë për vizitë në familje, gjykatë, trajtim mjekësore apo çfarëdo nevoje tjetër, pas kthimit do të karantinohet për 7 ditë.

Gjithashtu, secili i burgosur i pavaksinuar, i cili pranohet në institucione korrektuese, do të karantinohet  për 7 ditë dhe në ndërkohë do ti mundësohet vaksinimi brenda kësaj periudhe.

SHKK tutje potencon se, të gjithë vizitorët, mbrojtësit, monitoruesit, kompanitë kontraktuese dhe personat tjerë, të cilët nuk janë të vaksinuar, nuk mund të hyjnë në institucione korrektuese pa test RT-PCR, jo më të vjetër se 72 orë, ose test rapid jo më të vjetër se 48 orë, ose me një dokument përkatës që konfirmon se personi nuk është i infektuar ose ka fituar imunitet.

Përjashtim nga pika 5 e këtij urdhri janë fëmijët nën moshën 18 vjeçare, nga të cilët kërkohet respektimi i masave tjera anticovid në fuqi.

Po ashtu, sipas SHKK-së, do të bëhet edhe dezinfektim i plotë i hapësirave të brendshme dhe të jashtme në të gjitha institucionet korrektuese.