Shënohet 52-vjetori i Ditës Botërore të Romëve, Kurti: Të përkushtuar që të gjithë qytetarët të trajtohen pa diskriminim

Në 52-vjetorin e Ditës Botërore të Romëve, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim.

“Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian” – thuhet në letrën përmes të cilës Kurti ka uruar Komunitetin Rom.

Kurti ka thënë se është themeluar Ekipi Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë,  iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare.

“Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë” – vazhdon letra.

Më tej, kryeministri Kurti ka vazhduar duke thënë se për krijimin e mundësive të barabarta në arsim i kanë ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

“Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare” – ka vazhduar Kurti.

Po ashtu, Kurti ka përmendur edhe ndarjen e 200 mijë eurove për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak” – ka përfunduar ai.