Shembja e dheut në Prishtinë, komuna ndalë punën e gjobitë ndërtuesin por thotë se ka leje ndërtimore

Gjatë ndërtimit të objekti banesor sot në Prishtinë është shembur dheu. Për pasojë, dëme materiale u regjistruan tek një veturë e cila ra poshtë në gropë.

Në vendin e ngjarjes dolën zyrtarët komunalë e policia.

Komuna e Prishtinës përmes një reagimi ka kundërshtuar spekulimet se ndërtimi në fjalë është zhvilluar pa leje ndërtimore.

Nga kjo komunë thonë se kompania ka filluar punët ndërtimore me leje ndërtimore në prill të këtij viti.

“Drejtoria e Inspeksionit fuqishëm i kundërshton spekulimet të cilat kanë qarkulluar sot kinse ndërtimi në fjalë është zhvilluar pa leje ndërtimore nga se, Inspektorati i ndërtimit qysh me dt.10.05.2023 ka zhvilluar procedura inspektuese në rastin në fjalë dhe me procesverbal dt.10.05.2023 ka konstatuar se pala ka filluar punët ndërtimore me leje ndërtimore nr.05-351/02-48172/22 dt.24.04.2023 dhe i njëjti është urdhëruar të respektoj lejen ndërtimore dhe gjithë dokumentacionin burimor të miratuar nga organi kompetent”- thuhet në reagim.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se për shkak të shembjes së dheut kanë gjobitur ndërtuesin dhe ka ndaluar të gjitha punët që ishin duke u zhvilluar.

“…inspektorati i ndërtimit ka konstatuar gjendjen faktike të gropës ndërtimore dhe ka ndërmarrë masat ligjore duke e gjobitur ndërtuesin dhe duke urdhëruar përpilimin e planit për sanimin e gjendjes së shkaktuar si dhe, me Aktvendim për ndërprerje të punëve ka ndaluar të gjitha punët ndërtimore deri në largimin e rrezikut dhe sigurimin e gropës ndërtimore sipas planeve përkatëse të miratuara nga organi kompetent”- vazhdon reagimi.

Rastin e shembjes së dheut në këtë vend-punishte e kanë konfirmuar gjatë ditës dhe nga Policia e Kosovës.

“Rreth orës 12:00 është raportuar për shembje dheu në një vend punishte në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. Nuk raportohet për persona të lënduar përveç dëmeve materiale përfshirë këtu edhe një veturë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po vijon punën për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë rastin” – thuhet në njoftim.

Shembje dheu në Prishtinë, policia në vendin e ngjarjes – FOTO