Kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë të goditura nga avionët e rrëmbyer nga terroristët - Foto: Wikimedia
SHBA shënon sot 21-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit
Sot janë mbushur 21 vjet nga rrëmbimi i katër avionëve të pasagjerëve nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sulmet më të mëdha terroriste.
Mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001, 19 terroristë Islamikë të Al Qaeda-s, morën peng 4 avionë pasagjerësh të nisur nga Boston, Njuark dhe Uashington dhe i përdorën ato si raketa gjigante për të sulmuar ndërtesat simbolike në SHBA.
2 kullat ikonë të Nju-Jorkut u rrëzuan, Pentagoni u dëmtua rëndë; gati 3 mijë njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën, ose pësuan probleme afatgjatë shëndetësore.
Në total 2977 njerëz, pa përfshirë 19 pengmarrësit, humbën jetën në sulme, shumica e të cilëve në Nju-Jork.
Të gjithë 246 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit në 4 avionët u vranë. Në kullat binjake, u shënuan 2606 viktima, qe humbën jetën në vend ose më vonë nga plagët e marra. Në Pentagon, u vranë 125 persona.
Rrjeti ekstremist Islamik, Al Qaeda planifikoi sulmet nga Afganistani. i udhëhequr nga Osama Bin Laden, Al Qaeda fajësonte SHBA dhe aleatët e saj për konfliktet në botën Myslimane. 19 pjesëtarë të grupit terrorist morën peng avionët, duke u koordinuar në 3 ekipe prej 5 personash dhe një me 4 të tillë, në avionin e rrëzuar në Pensilvani.
Secili grup përfshinte dikë që ishte trajnuar si pilot në shkolla amerikane fluturimi. 15 nga pengmarrësit ishin sauditë, ashtu si vetë Bin Laden; dy ishin nga emirate e bashkuara arabe, një nga Egjipti, dhe një nga Libani.
Më pak se një muaj pas sulmeve, presidenti amerikan George W Bush me mbështetjen e një koalicioni ndërkombëtar, udhëhoqi pushtimin e Afganistanit, me qëllim shkatërrimin e Al Qaeda-s dhe kapjen e Osama Bin Laden.
Megjithatë u desh të pritej deri në 2011, që trupat amerikane më në fund të lokalizonin dhe të vrisnin terroristin më të kërkuar në botë. Arkitekti i pretenduar i sulmeve të 11 Sshtatorit, Khalid Sheikh Mohammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003.
Ai mbahet në burgun e Guantanamos që prej atëherë dhe është pritje të procesit gjyqësor. Al Qaeda vazhdon të ekzistojë; është më e fortë në Afrikën subsaharaine por edhe tani ka pjesëtarë brenda Afganistanit.
Trupat amerikane u larguan nga Afganistani pas gati 20 vitesh, duke nxitur frikën se shumë prej grupeve Islamike mund të rikthehen.
Për rindërtimin e Pentagonit u deshën më pak se një vit, me stafin që u rikthye në zyra, në gusht të 2002-shit.