Shala: I papranueshëm reagimi me vonesë i Bordit të KEK-ut për pezullimin e Krasniqit

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka deklaruar se është i papranueshëm reagimi me vonesë i Bordit Drejtues të Koporatës Energjetike të Kosovës për pezullimin e Nagip Krasniqit.

Sipas Shalës, Qeveria dhe Bordi kanë bërë shkelje me emërimin si ushtrues detyre të Përparim Kabashit.

“Ne si propozues të këtij debati konsiderojmë të papranueshëm faktin se Bordi i Drejtorëve si organi më i lartë i ndërmarrjes ka reaguar me vonesë në pezullimin e Krasniqit i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht çfarëdo mos veprimi dhe mos distancimi nga zotëri Krasniqi, Bordi i Drejtorëve dhe Qeveria e Kosovës janë po aq përgjegjës për një rast të tillë, të cilin drejtori i KEK është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi”- ka thënë Shala.

“Qeveria dhe Bordi i Drejtorëve bën shkeljen e radhës, duke vendosur u.d. kryeshef të KEK-ut, Përparim Kabashin i cili gjashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në dëm të ndërmarrjes KEK”- shton ai.

Shala thekson se menaxhmenti i KEK ka përfituar materialisht nga asetet dhe resurset e kësaj ndërmarrje për interesa individuale dhe grupore të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Fatkeqësisht parim bazë i këtij menaxhmenti rezulton të jetë përfitimi material në mënyrë të organizuar në asestet dhe resurset e KEK-ut për interesa individuale dhe grupore të Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me kryeministrin Kurti. Për të arritur synimet e veta, ky menaxhment me mbështetje të plotë deri në naivitet të Ministrisë së Ekonomisë, menaxhmenti i KEK-ut shfrytëzoi situatën e krizës globale për lojëra dhe tregtim të energjisë me ndërmarrje tregtare brenda dhe jashtë vendit”- është shprehur Shala.

Shala tha se menaxhmenti i KEK-ut ka arritur të përkeqësojë kushtet e punëtorëve në një shkallë të lartë të rrezikut në punë.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua javën e kaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit.

Më 25 prill, bordi i drejtorëve të KEK-ut mori vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. kryeshefit ekzekutiv, bordi ka emëruar Perparim Kabashin, aktualisht drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Bordi i KEK-ut suspendon kryeshefin e arrestuar Nagip Krasniqin