Sekuestrohen pesë pushkë gjysmë automatike në Prizren – FOTO

Policia e Kosovës ka sekuestruar pesë pushkë gjysmë automatike në Prizren.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, sot me datë 14.01.2024, rreth orës 14:05 policia ka marrë informacion se mbi fshatin Jeshkovë, Prizren pranë disa shtëpive malore, “dyshohet se janë disa persona të armatosur, si duket kanë dalë për gjueti.”

“Patrullat policore janë nisë në atë drejtim dhe në rrugën malore mbi fshat kanë has dhe e kanë ndaluar një automjet, në automjet gjendeshin 3 persona. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën tre armë të gjata, pushkë gjysmë automatike si dhe një rreth 30 fishekë”- tha ai.

Në dy automjete sipas Policisë, janë sekuestuar edhe dy armë të tjera – pushkë gjysmë automatike.

Sipas tij, të dyshuarit janë shoqëruar për në Stacionin Policor në Prizren ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

“Armët e gjetura ishin pa leje nga organet kompetente dhe me urdhër të prokurorit janë sekuestruar, ndërsa të dyshurit janë liruar me procedur të rregullt”- theksoi Bytyqi.