Manuel Sarrazin. Foto: KALLXO.com

Sarrazin për vizat: Nga 1 janari do të bëhet ashtu siç është premtuar

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë se për Gjermaninë vizat nuk janë më çështje. Dhe sipas tij nga 1 janari do të bëhet ashtu siç është premtuar.

Sarrazin në emisionin “Click Plus” në TV21 komentoi deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macronsa i përket vizave për kosovarët. Ai theksoi se ky nuk është një opsion dhe do të ishte një gabim i madh sepse vetëm do t’i largonte kosovarët nga procesi i BE-së.

“E para Qeveria e Kosovës duhet të mendojë nëse vërtetë po bën mirë dhe aq shumë qeveri në rajon dhe në BE mendojnë se po bën gabim. Kjo është natyrisht një gjë që i prek qytetarët e Kosovës… Kjo nuk është mirë për qytetarët e Kosovës dhe është problem natyrisht. Sa i përket heqjes së vizave, ju e dini se ka pasur një deklaratë të presidentit Macron. Dua ta them qartë se kjo nuk është një opsion dhe do të ishte një gabim i madh sepse vetëm do t’i largonte kosovarët nga procesi i BE-së. Dhe e themi se 1 janari 2024 do të bëhet ashtu siç është pajtuar dhe premtuar. Nëse ne themi se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq duhet t’i përmbushin premtimet sa i përket shtendosjes ne nuk do të bëhemi më të mirë nëse nuk i përmbushim premtimet tona. Kultura e mos përmbushjes së premtimeve dhe të programeve që janë pajtuar është problem në rajon” – tha ai.

Më 28 gusht, presidenti francez pati thënë se zotimet e Francës dhe të Gjermanisë për politikat e vizave dhe çështjeve të tjera ekonomike, do të rishikohen nëse Kosova dhe Serbia nuk sillen me përgjegjësi.

Në muajin prill Bashkimi Evropian vendosi që qytetaret e Kosovës të përfshihen në regjimin e udhëtimit pa viza nga 1 janari i vitit 2024. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në këtë regjim dhe e fundit në proceset integruese evropiane./RTV21