Krasniqi dhe Abdixhiku takohen me emisarin gjerman, i bëjnë kërkesa dhe i japin zotime

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka takuar ndaras kryetarët e dy partive opozitare në Kosovë, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas njoftimeve të partive, situata politike dhe qëndrimet e tyre karshi zhvillimeve në vend kanë qenë temat kryesore të diskutuara më 27.02.2024. Të dy partitë janë shprehur të gatshme për të bashkëpunuar në interes të Kosovës.

Krasniqi përmes njoftimit të tij në Facebook tha se ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, nga të cilat thotë se po vuajnë më së shumti qytetarët.

“PDK, si përherë, me bashkëpunim dhe përgjegjësi, do të angazhohet të ruaj interesin e shtetit, të qytetarëve dhe perspektivën e saj evropiane” – thotë Memli Krasniqi.

Ndërsa, LDK ka bërë të ditur se Abdixhiku ka falënderuar Sarrazinin për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset, veçanërisht për liberalizimin e vizave.

“Kryetari Abdixhiku po ashtu ritheksoi se LDK mbetet e përkushtuar dhe gjithmonë e gatshme për bashkëpunim me aleatët ndërkombëtar në proceset e rëndësishme të Kosovës” – ka shkruar LDK në Facebook.

Bashkimi Europian ka vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës, më 14.06.2023 si pasojë e rritjes së tensioneve në veri të vendit gjatë majit të atij viti.

Tensionet ishin rritur që nga 24.05.2023, ditë kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale pasi ishin zgjedhur në ato pozita në zgjedhjet që ishin mbajtur në muajin prill pasi që zyrtarët komunalë të komunitetit serb kishin braktisur muaj më parë institucionet në katër komunat në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano nuk kishte pranuar t’i quante ‘sanksione’ masat e BE-së.

Këto masa implementuese me pasoja politike dhe financiare, përfshijnë suspendimin e vizitave të nivelit të lartë, kontakteve, ngjarjeve dhe në bashkëpunimin financiar të BE-së me Kosovën, siç kishte thënë Stano.

Heqja e këtyre masave është kërkuar në vazhdimësi edhe nga udhëheqësit e vendit dhe jo vetëm.

Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.