Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, çfarë pritet të ndodhë sot në takimin e 3 liderëve

Ditën e sotme do të zhvillohet takimi i kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri. Rama i priti me darkë mirëseardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiq.

Ditën e sotme, liderët do të mbërrijnë në Pallatin e Brigadave rreth orës 09:00 dhe takimi do të zgjasë për disa orë pasi do të nënshkruhen rreth 5 marrëveshje.

Ato janë:

1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Nuk do të mungojnë diskutimet e liderëve për të ardhmen e Agjendës së Ballkanit të Hapur ndërsa në orën 13:00 do të dalin në konferencë për shtyp./TopChannel/