Manuel Sarrazin. Foto: KALLXO.com

Sa dekada u duhen vendeve të Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE?

Për t’i ndihmuar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, Gjermania në mars ka dërguar një përfaqësues special.

Bëhet fjalë për përfaqësuesin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, Sarrazin ka thënë se puna e tij do të përfundojë kurdo që këto gjashtë shtete të jenë në BE.

“Që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë akoma në BE dhe Qeveria federale e Gjermanisë ma dha mua detyrën që të ndihmojë në këtë drejtim. Kështu që puna ime do të përfundojë kur ju të keni hyrë në BE”, ka thënë ai.

Sipas Sarrazin ende nuk dihet se edhe sa do të vazhdojë puna e tij, pra nuk dihet edhe sa kohë i duhet vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e BE-së.

“Në fakt, këtë përgjigje nuk e di askush. Përgjigjja klasike e BE-së është se varet prej jush, pra varet se sa i shpejtë është procesi i reformave të këtyre shteteve, dhe në një mënyrë kjo është e vërtetë”, ka thënë ai duke shtuar se kredibiliteti i kësaj përgjigjeje është problematik në këtë situatë dhe mbetet nën hijen e mungesës së dhënies së rezultateve nga BE”, shtoi ai.

Duke e ditur se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjithashtu një të dërguar special që domosdos nuk lidhet me hyrjen e këtyre vendeve në BE, Sarrazin është pyetur nëse prezenca e tij dhe e të dërguarve të tjerë specialë nuk është nën hijen e mbikëqyrjes apo monitorimit të konflikteve të pazgjidhura, më tepër sesa vetëm hyrjen në BE.

Sarrazin e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se angazhimi i tij duhet të kuptohet si ‘shenjë dashurie’.

“Në fakt, kjo më shumë tregon angazhimin e qeverisë gjermane në rajon dhe tregon që ne duam të intensifikojmë angazhimin tonë për të lehtësuar procesin e hyrjes në Evropë së bashku me partnerët në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët në BE dhe më gjerë, të cilët janë të angazhuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, kjo duhet të kuptohet, në një mënyrë, si shenjë dashurie”, ka thënë Sarrazin.

Sipas tij, vetëm prezenca e dërguarve specialë nuk është e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e BE-së. Sarrazin ka thënë se ka të bëjë edhe me vullnetin politik mes dy palëve.

“Jo, vetëm kjo (prezenca) nuk mjafton. Dua të them se do të jem vetëm ndihmues dhe lehtësues, veçanërisht kolegët nga Brukseli me të cilët po bashkëpunojmë ngushtë. Gjithmonë ka të bëjë me vullnetin politik nga të dyja anët. Por le ta themi kështu, vullneti politik këtu është i rëndësishëm, por unë mund të ta ndihmoj edhe vullnetin politik në Bruksel dhe në BE dhe angazhimi i qartë i Qeverisë gjermane është që të bëjmë hapa përpara, ndoshta s’mund ta bëjmë krejt rrugën por bile të hedhim hapa të rëndësishëm përpara”, ka thënë Sarrazin.