Dmitry Medvedev - REL

Rusia paralajmëron se mund ta rimendojë paktin bërthamor me Perëndimin lidhur me sanksionet

Një zyrtar i lartë rus ka paralajmëruar se Moska mund të reagojë ndaj sanksioneve perëndimore lidhur me sulmin e saj ndaj Ukrainës duke hequr dorë nga pakti i fundit i mbetur i armëve bërthamore dhe duke i ngrirë asetet perëndimore.

Dmitry Medvedev, ish-presidenti i Rusisë dhe aktualisht nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë i kryesuar nga Presidenti Vladimir Putin, i ka shpërfillur një sërë sanksionesh të rënda të vendosura nga Bashkimi Evropian, Britania, Amerika dhe aleatët e tjerë.

Medvedev i përshkroi sanksionet si një pasqyrim i “pafuqisë politike” perëndimore.

Në komentet e postuara në faqen e tij në median sociale ruse VKontakte, Medvedev tha se sanksionet mund t’i ofrojnë Moskës një justifikim për një rishikim të plotë të lidhjeve të saj me Perëndimin, duke sugjeruar që Rusia mund të tërhiqet nga traktati i ri START i kontrollit të armëve bërthamore që i kufizon arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë.

Medvedev ngriti gjithashtu perspektivën e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet perëndimore, duke thënë se “nuk ka nevojë të veçantë për ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike” dhe duke shtuar se “ne mund ta shikojmë njëri-tjetrin përmes objektivit të dylbive dhe armëve”. Ai vuri në dukje mundësinë e ngrirjes së aseteve perëndimore në Ukrainë nëse Perëndimi vazhdon me kërcënimet për ngrirjen e aseteve ruse./Euronews