'RTK 2' të vrarët në Banjskë i quajti ‘viktima', suspendohet drejtori

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë ditës së sotme, datën 30 shtator 2023, ka suspenduar drejtorin e RTK2 Željko Tvrdišiq.

“Pas një vlerësimi të raportimit që është bërë në RTK lidhur me ngjarjen tragjike të sulmit terrorist nga formacione paraushtarake serbe, në të cilin u vra një polic i Kosovës, ka marrë disa masa të rëndësishme për të korrigjuar shkeljet e standardeve profesionale të raportimit”, thuhet në njoftimin e Bordit.

Në njoftim thuhet se pas një diskutimi të detajuar dhe një analize të situatës rreth kronikës së transmetuar në lajmet e RTK2 (kanali në gjuhën serbe) më datë 28 shtator 2023, pas propozimit nga drejtori i përgjithshëm, Bordi i RTK-së në mënyrë unanime ka vendosur për suspendimin nga detyra për një afat 30 ditor të drejtorit të RTK2, Željko Tvrdišiq.

“Kjo masë është marrë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në njoftim.

“Gjatë kësaj periudhe, menaxhmenti i RTK-së do të kryejë një analizë të hollësishme të situatës dhe të raportimit në përgjithësi, me qëllim që të identifikohen të gjitha shkeljet e mundshme të standardeve profesionale dhe të merren masat e duhura për t’i korrigjuar”, thuhet tutje në njoftimin për media të Bordit të RTK-së.

Në njoftim po ashtu theksohet se priten edhe masa të tjera disiplinore ndaj personave tjerë për siç thuhet në njoftim shkeljet e mundshëm profesionale.

“Po ashtu, masa të tjera disiplinore do të ndërmerren ndaj të gjithë individëve përfshirë në shkeljet e raportimit profesional dhe që janë të përcaktuara në ligjet dhe rregulloret me të cilat operon RTK. Kryetari i Bordit të RTK-së më datën 24 shtator përmes një e-maili ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm dhe rrjedhimisht nga të gjitha njësitë që të kenë kujdes të shtuar dhe vigjilencë në raport me situatën si dhe të raportojnë me profesionalizëm”.

Tutje në njoftim thuhet se “Bordi i RTK-së vazhdon të mbështesë lirinë e mediave, profesionalizmin dhe integritetin e raportimit të pavarur, dhe është i vendosur të sigurojë që të gjitha veprimet të përputhen me këto parime dhe me Ligjin për RTK dhe frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Boletini thotë se në RTK-2 ka pasur parregullsi në raportim për situatën në veri, paralajmëron masa të ashpra