Boletini thotë se në RTK-2 ka pasur parregullsi në raportim për situatën në veri, paralajmëron masa të ashpra

Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini ka thënë se duke marrë parasysh zhvillimet në veri të vendit, kanë përcjellë vazhdimisht raportimin edhe në kanalin RTK 2.

Boletini ka thënë se në raportim janë hasur parregullsi, për të cilat ai tha se Bordi do të marrë masa të menjëhershme dhe të ashpra.

“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në veri të vendit, që nga dita e parë ne jemi duke e përcjellë vazhdimisht raportimin edhe në RTK2 dhe janë mbajtur evidenca, e ku janë hasur edhe parregullsi në raportim. Bordi i RTK-së do të marrë masa të menjëhershme dhe të ashpra”- ka shkruar Boletini në Faacebook.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Katër nga të arrestuarit janë liruar, për mungesë provash, njoftoi të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës.