Reshjet e bores

Rrëzimi i lisave nga reshjet e borës në kryeqytet, Rama thirrje qytetarëve të mos frekuentojnë parqet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të borës, në disa zona të qytetit ka rrëzim të lisave, kryesisht nëpër parqe.

“Si pasojë e motit të keq të përcjellur me erëra të forta gjatë natës së mbrëmshme dhe reshjeve të mëdha të shiut dhe borës kemi pasur rrëzim të lisave në disa lokacione në Kryeqytet, kryesisht në Parkun e Qytetit, Parkun e Taukbahqes, në rrugët “Perandori Justinian”, “Agim Ramadani”, dhe rrugën Germi-Butovc”- thuhet në njoftimin e kryetarit.

Sipas tij, për momentin rruga tek Parku i Qytetit është e bllokuar.

“Për momentin rruga tek Parku i Qytetit është e bllokuar për qarkullim dhe ekipet janë duke punuar për lirimin e rrugës nga drunjtë e rrëzuar”- shtoi tutje Rama.

Përmes këtij njoftimi të kryetarit u është bërë thirrje qytetarëve që mos të frekuentojnë rrugët ku ka rrëzim të lisave dhe sidomos parqet.

“Lusim qytetaret që të mos frekuentojnë këto rrugë dhe posaçërisht parqet e qytetit për shkak të rrezikut nga drunjtë e rrëzuar deri në njoftimin e radhës”- thuhet më tej në njoftim.

Rama tutje thekson se ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe në koordinim të ngushtë me NPL „Hortikultura” sh.a – Prishtinë, Njësitin e zjarrfikësve të kryeqytetit dhe Policinë e Kosovës.

Thirrje të ngjashme për mos të ftrekuentuar parqet, me theks atë të Taukbahqes, bëri edhe ndërmarrja komunale ‘Hortikultura’.

“Qytetarë të nderuar ju lusim të bëni kujdes gjatë ecjes në Parkun Taukbashqe për shkak të drunjëve të rënduar nga bora e papritur. Bora e rënë gjatë kësaj periudhe është më e lagësht se zakonisht andaj e ka peshën më të madhe në degët e drunjëve”- thuhet në thirrjen e tyre.

Reshjet e borës në gjithë vendin kanë nisur nga mbrëmja e të hënës.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga sot deri më 7 prill do të mbajë mot i ndryshueshëm.

Zbardhet kryeqyteti – FOTO