Rrëfimi i policit Mirsad Kryeziu për sulmin ku u vra Afrim Bunjaku: "Plaga më e madhe e tij ishte në fyt..."

“Kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga pjesëtarët tanë, që ishte Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë përtokë dhe i mbuluar pothuajse me gjak, sepse detonimet që ishin bërë nga grupi, tashmë terrorist ta quajmë, ai ishte plagosur në fyt”.

Kështu ka rrëfyer para Trupit Gjykues dëshmitari Mirsad Kryeziu për ditën kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku në Banjskë, në shtator 2023.

Gjykimi për rastin “Banjska” po vazhdon sot, më 11.06.2025, me dëgjimin e dëshmitarit, policit Mirsad Kryeziu.

Në këtë rast të akuzuar janë 45 persona, por vetëm 3 prej tyre janë të paraburgosur: Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq.

Dëshmitari Kryeziu po përballet me pyetjet e prokurorit Naim Abazi.

Në seancën e sotme nuk prezantojnë palët e dëmtuara dhe po ashtu as përfaqësuesit e tyre.

Gjatë dëshmisë së tij sot në Gjykatën e Prishtinë dëshmitari Mirsad Kryeziu tha se më 23 dhe 24 shtator 2023, në atë datë ishte i caktuar në detyrë në pikën statike në Izvor dhe se atje bënin kontrollimin dhe rishikimin e kufirit.

“Funksioni im ka qenë si udhëheqës i ekipës që ishin atë ditë në punë.” – tha Kryeziu.

Dëshmitari tregoi dëmtimet e tij fizike dhe pasojat psikologjike që kishte pësuar nga ky rast.

“Po gjatë sulmit të datës 23-24 shtator dëmtimet e mia kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë Heroit të Kosovës, për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi që ne jemi sulmuar në atë kohë. Më saktësisht dëmtimet që kam pasur kanë qenë në gju gjatë tërheqjes, edhe normalisht traumat psiqike.” – tha Kryezi.

“Kur je nis për në pikën e Izvorit, çfarë pajisje keni pasur apo furnizuar atë ditë?” – pyeti prokurori Abazi.

“Pasi që kishim filluar punën si zakonisht. Fillojmë punën në ora 08:00. Atëkohë kishin qenë 24 orë, ndërsa pajisjet e tyre kishin qenë policore, të cilat i mbajnë sot e asaj dite. Vetura tha se ishte normale, jelekë antiplumb, jeleku taktik, armët që ne i kemi gjatë detyrave tona”.

“Çfarë pamje kishte vendndodhja ku keni hasur kamionët?” – pyeti Prokurori.

“Ne kemi kryer ndërrimin në ora 2 të natës të 22 shtatorit. Posa kemi hyrë në fshatin Banjskë, reka, ura ku hynë në fshat nga pjesa jonë që kthehemi nga Izvori, në mes fshatit gjendet një urë.” – tha dëshmitari që sipas tij të shpie në brendësi të fshatit.

“Aty kishim vërejtur se janë parkuar dy kamionë që bënin bllokimin e hyrjes në fshat. Për një moment kishin njoftuar Dhomën Komanduese. Edhe kishin informuar se në urën e fshatit Banjska gjenden dy kamionë që e bllokojnë rrugën për hyrje në fshatin Banjskë”.

Kryeziu deklaroi se kishte bërë kontrollimin sipërfaqësor.

“Gjatë atij kontrollimi kam vërejtur se kamioni që ishte më afër rrugës e kishte pasur derën e hapur, ndërsa kamioni më brenda fshatit, ai nuk e kishte derën hapur. Ishte mbyllur dhe kamionët nuk kishin tabela të regjistruara.” – tha ai.

“Dyshimet tona ishin, sepse ne edhe më herët kemi hasur këso bllokadash rrugës dhe gjatë tërë këtyre bllokadave që janë bërë pjesë e Mitrovicës janë vërejtur njerëz që këto bllokada i kanë ruajtur, e armë e sidomos armë të gjata. Edhe për një moment neve na ka lindë dyshimi se aty ka të bëjë me diçka e cila nuk është e zakontë, por edhe njëkohësisht kemi pasë dyshim se mund të jetë nga kontrabandistë të cilët gjatë tërë asaj kohe kanë bërë gjëra të tilla.” – tha Kryeziu.

Sipas dëshmitarit rruga kishte qenë e bllokuar mirë që të mos mund të depërtonin brenda fshatit.

Tutje, ai tregoi lidhur me momentin e shpërthimit.

“Pasi që i kishin dërguar ato imazhe, pasi nga Dhoma Komanduese iu ishte kërkuar me i dërgu edhe përmes fotove, edhe telefonave, iu ishte thënë me pritë aty, pasi ka me ardhë një patrullë tjetër për t’i asistuar dhe ndihmuar me i largu kamionët nga rruga. Dhe, pas një kohe, diku mund të jem jo i saktë, përafërsisht 20-30 minuta, kishte arritur patrulla nga Stacioni Policor i Zveçanit. Me dy vetura kishin ardhur dhe tre pjesëtarë nga Stacioni Policor i Zveçanit në drejtim të tij dhe dy të tjerë ishin ndalur në një distancë më të lartë nga kamionët, 20 apo 30 metra, ku kishin qenë kamionët e parkuar. Dhe, dy pjesëtarë të tjerë ishin ndalur aty ku kishin ndalë automjetet.” – tha ai.

Kryeziu tregoi se kishte dashur të identifikojë se cili ka qenë udhëheqësi i ekipës, e cila iu kishte shkuar në ndihmë atyre.

“Ato momente më është afru, që unë atë kohë s’e kam njoftë për shkak të uniformës. Tha: ‘Unë jam udhëheqës i patrullës’. Ai ishte rreshter Afrim Bunjaku. I kërkova me ma jep një polic nga grupi i tij edhe me shku me u mundu me i largu kamionët nga rruga.” – tregoi ai.

“Para se ta bëja këtë i vendosa dy policë që ishin me mua: njëri te dy kamionët, për skaj rrugës, që me më mbulu nëse ka naj gjuajtje me zjarr, edhe tjetri me veturë, për veprimet tona për punët që na ishte urdhëruar të bëjmë. Njëri nga pjesëtarët policor (Zveçanit) erdhi me mua, ai u ndal te kamioni që ishte jashtë rrugës, edhe ishte dera hapur, edhe unë u futa në thellësi te kamioni tjetër. Kam hipë në kamion, edhe e kam çelë derën. Posa kam hapë derën, ato momente kam dëgju një shpërthim, një detonim. Kanë fillu gjuajtjet në drejtim të pozicioneve tona. Për një moment jam largu prej kamionit dhe jam nisë në drejtim të policëve, ku ishin vendosur ata.” – rrëfeu Kryeziu.

“Kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga pjesëtarët tanë, që ishte Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë përtokë dhe i mbuluar pothuajse me gjak, sepse detonimet që ishin bërë nga grupi, tashmë terrorist ta quajmë, ai ishte plagosur në fyt.” – tha Kryeziu

“Plaga më e madhe e tij ishte në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe.” – shtoi Kryeziu.

Më 24.09.2023 kishte ndodhur sulmi terrorist në fshatin Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, edhe në Shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë – lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Çka thotë Aktakuza e Prokurorisë?

Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq – është ngritur Aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas Aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.

Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit – duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.

Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë Dosje.

Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.

Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.

Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.

Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.

Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.

“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.

Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.

“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.

Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Për këtë rast janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih: këtukëtu dhe këtu), për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.