Michael Roth

Roth kritikon SHBA-në dhe BE-në për mungesë balanci në deklarata në raport me Kosovën dhe Serbinë

Kryetari i Komisonit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili kërkoi shtyrjen e vendimit lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit serb dhe tha se veprimet e fundit të Kosovës po ndikojnë negativisht tek serbët e Kosovës.

Roth thotë se SHBA dhe BE po bëjnë deklarata të pabalancuara kur është fjala për Kosovën dhe Serbinë.

“Një tjetër shembull i një deklarate të pabalancuar të SHBA-së (ose BE-së) për Kosovën. Më mungojnë porosi kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulmi terrorist në Banjskë, rrëmbim apo shantazh) në rajon, i dashur ambasador i SHBA-së” – shkroi Roth në platformën X (ish-Twitter).

 

Ndaj deklarimeve të Hovenierit ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns.

Kearns po ashtu ka kërkuar llogari se ku janë reagimet e tilla për rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga Serbia.

Alicia Kearns reagon ndaj deklaratës së Ambasadës Amerikane për çështjen e dinarit serb

Ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, të shtunën ka ripërsëritur kërkesën për të shtyrë zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës duke u shprehur i shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të cilat ka thënë se kanë efekte të drejtpërdrejta dhe negative te qytetarët e komuniteti serb në Kosovë.

“Këto veprime panevojshëm janë duke rritur tensione ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet e SHBA-së për të shërbyer si një avokues efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare” – thuhet në deklaratë.

Në këtë deklaratë janë përmendur edhe aksionet e Policisë së Kosovës të realizuara të shtunën për konfiskimin e dinarëve serbë.

SHBA përsëri bën thirrje për shtyrjen e vendimit për dinarin: Këto veprime panevojshëm janë duke rritur tensione ndëretnike

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar Rregulloren, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Sipas Rregullores, valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro.