Albin Kurti dhe Michael Roth Foto: ZKM

Kurti pret në takim deputetin gjerman Michael Roth

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë pritur në takim kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, gjatë bisedës është diskutuar rreth reformave të Qeverisë, për situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave, si dhe për rrugëtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian, dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se tregues të thellimit të marrëdhënieve bilaterale janë shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja.

“Nga viti 2021 në vitin 2022, eksportet e Kosovës për në Gjermani janë rritur për 42% ndërkaq investimet e Gjermanisë në Kosovë për 60%”- thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, kryeministri Kurti e ka njoftuar deputetin Roth me progresin e përgjithshëm, me theks te indikatorët e fundit makroekonomikë dhe me arritjet kryesore të qeverisjes.

“Ai falënderoi z. Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës por edhe për mbështetjen e tij. Michael Roth ishte njëri nga nënshkruesit e parë të letrës së përbashkët të 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të 16 shteteve, në të cilën ishte shprehur mbështetja për Kosovën dhe ishte bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë”- thuhet në komunikatë.

Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, sipas komunikatës, është shprehur falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e mirë, duke ofruar mbështetjen e tij të mëtejme.​

Roth është duke qëndruar sot në Kosovë ku përveç Kurtit ka takuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca me të cilin kanë diskutuar për proceset integruese dhe bashkëpunimin bilateral Kosovë-Gjermani.

Konjufca takohet me deputetin gjerman, flasin për zhvillimet politike në vend dhe rajon