Hovenier i përgjigjet kërcënimit të Vuçiqit: Aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier kundërshton këdo që bënë krahasime se “kush- ku është duke qëndruar” në raport me NATO-n. Këtë mospajtim, ai në fakt e ka shprehur pasi është pyetur për deklaratën e ambasadorit tjetër amerikan që vepron në Serbi, Christopher Hill, i cili në një intervistë për televizionin shtetëror serb- RTS, ka thënë se aktualisht Serbia është më afër NATO-së sesa Kosova.

“Unë dua të kundërshtojë këta që duan të bëjnë krahasime se kush ku është duke qëndruar në raport me kënd”, ka deklaruar Hovenier, pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, më 20.03.2024.

Diplomati amerikan iu është përgjigjur edhe deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke ia rikujtuar atij se në Kosovë është NATO-ja.

Me këtë rast, ai ka thënë se as populli i Kosovës nuk ka arsye të mbetet pa gjumë për shkaqe të sigurisë.

“Mund të them vetëm këtë, ShBA ka qëndruar në mënyrë të vendosur për njerëzit e Kosovës në gjithë këto vite, pjesërisht dhe direkt, në përgjigje të çdo sulmi ndaj territorit, integritetit ose sigurisë së Kosovës … Ne nuk humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë sulm sepse besojmë se NATO është e përgatitur, e gatshme dhe nuk mendoj se njerëzit në Kosovë duhet të humbin gjumin për këtë gjithashtu, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme këtu, e gatshme të bëj të nevojshmen”, është shprehur Hovenier.

Ai ka potencuar se e mirëpresin dëshirën e Kosovës që t’i bashkohet NATO-s një ditë dhe se SHBA-të do ta përkrahim në këtë synim, sepse kjo do të kontribuonte në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

“SHBA-ja e ka mbështetur FSK-në, kemi bërë shumë përpjekje, trajnime, paisje dhe ushtrime për ta mbështetur këtë qëllim”, ka thënë Hovenier.

Deklaratave kërcënuese të Vuçiqit, e po ashtu edhe deklaratave të ambasadorit amerikan Hill, u është kundërpërgjigjur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Njësoj si edhe në të kaluarën ai (Vuçiqi) duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet  e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar”, ka thënë ajo në një prononcim për Telegrafin, më 19.03.2024.

Ndërsa një deklarim para mediave më 20.03.2024, Osmani ka theksuar se ata që thonë se Serbia është afër NATO-s përveç që fyejnë shtetet demokratike, fyejnë edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit.

“Serbia është është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive  Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”- tha Osmani.

Hill për televizionin shtetëror serb RTS, më 19.03.2024 kishte thënë se “nëse shikohet se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”.