Guvernatori i BQK-së takon ambasadorin francez: Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, të cilin e ka informuar mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Siç njofton BQK përmes një komunikate për media të lëshuar më 16.02.2024, gjatë këtij takimi u sqarua se “Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovës me standardet e BE-së”.

“Sa i përket shqetësimeve të ngritura lidhur me ndikimet e saj në një komunitet të caktuar, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, sipas komunikatës, është thënë se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarë dhe materialet e tjera informuese, duke i ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Po ashtu, në takim siç njofton BQK, është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Kundër zbatimit të Rregullores së BQK-së, më 12.02.2024 qytetarë të komunitetit serb në Kosovë protestuan në Mitrovicën e Veriut.

Një pjesë e faktorit ndërkombëtar nga ana e tyre i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, më 15.02.2024, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Hovenier tha para gazetarëve se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve për këtë vendim dhe në këtë kuadër, Kurti më 11.02.2024 iu adresua qytetarëve serbë, në gjuhën serbe, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.

Ndërkohë, BQK ka lansuar një plan 10 pikësh për zbatim të lehtësuar të rregullores.