Rizvanolli: Vetëm 8 ndërmarrje kanë performuar me fitim në vitin 2020

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, ka paraqitur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës Raportin e Performancës për Ndërmarrjet Publike Qendrore për vitin 2020.

Rizvanolli, tha se në total 8 ndërmarrje kanë performuar me fitim gjatë vitit 2020 mirëpo sipas saj ka të tilla që kanë pasur performancë pozitive mirëpo në krahasim me vitin paraprak 2019 kanë pësuar rënie.

“Ndërmarrjet që kanë performuar dobët dhe kanë ndikuar në masë të madhe në humbjet e përgjithshme totali janë Trepça, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Infrakos, Ibër Lepenci, KRU Mitrovica, KRU Gjakova dhe Kompania e Ujitjes Drini i Bardhë”, tha ajo.

Sipas Rizvanollit nga ky raport shihet se humbjet financiare janë zvogëluar nga 15 milion sa ishin në vitin 2019, në 2.67 milion në vitin 2020.

“Sa i përket performancës financiare ka pas një rritje të fitimit në sektorin e energjisë te KEK-u ndërsa ka vazhduar me humbje sektori i telekomunikacionit respektivisht ndërmarrjet Telekomi dhe Posta e Kosovës”, tha ajo.

Rizvvanolli shtoi se sa i përket sektorit të transportit NP Infrakos ka operuar me humjbe ndërsa NP Trainkos me fitim financiar.