(Arkiv) Parlamenti i Shqiperise FOTO: REL

Rezoluta për Kosovën në Shqipëri, Rama: Kujt ia drejton Shqipëria një rezolutë të tillë, po përdoret për të luftuar me qeverinë

Kanë nisur me debate punimet e seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët pritet të votojnë për një rezolutë të përbashkët që dënon sulmet terroriste serbe në veri të Kosovës dhe kërkon një hetim ndërkombëtar për rastin ndaj Serbisë.

Grupi parlamentar i Lulzim Bashës (PD) kanë thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama sa i përket miratimit të rezolutës që dënon sulmin terrorist në Kosovës.

Në këtë rezolutë kërkohet që Shqipëria duhet të angazhohet fuqishëm dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri Edi Rama insistoi se ka mbajtur qëndrimin e duhur për çështjen e marrëdhënies Kosovë-Serbi pas ngjarjes së rëndë në Banjskë.

Rama në Kuvend ka kritikuar draft-rezolutën e propozuar duke thënë se është një propagandë e opozitës kundër qeverisë.

“Jemi ftuar në mocion nisur me debat për draft-rezolutën e depozituar në Kuvendin e Shqipërisë që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, fill pas rezolutës së Kosovës, së vrasjes së Afrim Bunjakut, nga një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri në Kosovës”- tha ai.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Kosova ka të drejtë të miratojë rezulotutë të kësaj natyre, derisa Shqipëria që është anëtare në shumë organizma të BE-së, kujt ia drejton këtë.

“Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën dhe detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre, që u drejtohen për mbështetje politike fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare ku Kosova nuk bën pjesë. Por Kuvendi i Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE, vend që ka ulësen, ka të gjitha rrugët e komunikimit institucional me botën politike, ka ambasadorët e vetë në të gjithë organizma, kujt ia drejton një rezolutë si ajo që na u propozua”- tha ai.

Rama madje pati fjalë të mira edhe për mënyrën se e menaxhoi Kosova sulmin e 24 shtatorit.

“Si një bojë që shpërtheu si një forcë tronditëse, prej kohësh tashmë prodhohet tensioni që kthen mbrapsht procesin e dialogut, zhvillimi pas shpërthimit kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e ish Jugosllavisë grumbullimi ishte si një ftesë, për të prodhuar alibi aluçinante, fundi ishte shembullor falë veprimeve të forcave të sigurisë të cilat nuk ranë në kurthin e ngritur me një gjakftohtësi të përballueshme”- deklaroi Rama.

Rama theksoi se mbajtën qëndrim parimor dhe politik në funksion të nxitjes së Brukselit për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve.

“Pozicioni i dobësuar i Kosovës në sytë e BE dhe SHBA si dhe vetë viktimizimi i vetë Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra nga gabimet e Prishtinës zyrtare e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë. Puna është se në Tiranë dhe në Prishtinë ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria nuk është më ajo e djeshmja, nëse sot respektohen si të barabartë në çdo instancë dhe rrethanë vlerësohemi për dinjitetin”- ka shtuar me tej Rama. Top-Channel.tv

Pikat e kësaj rezolute janë si në vijim:

– Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;

– Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;

– Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Kuvendi miraton rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë