Foto: Kuvendi i Kosovës
Kuvendi miraton rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë
Më 97 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Kjo rezolutë u përpilua në bashkëpunim te të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Përmes kësaj rezolutë Kuvendi i Kosovës e ka dënuar me termat me të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës me datë 24 shtator 2023 dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar ta ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar shtetin e Serbisë me rolin e saj në ketë rast.
Po ashtu, përmes kësaj rezolute Kuvendi vlerëson punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë.
Ndërsa, ofron mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për Policinë e Kosovës, inkurajon pluralizmin politik, kërkon nga Qeveria të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtar etj.
Rezoluta e plotë e prezantuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca:
– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;
– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;
– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
- DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist tëorganizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;
- VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
- KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;
- INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.
- KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike;
- KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.