FOTO: Rene Rexhepi në kuzhinën e restorantit 'Noma'/euronews,

Restoranti i shqiptarit shpallet më i miri në botë për vitin 2021

Restoranti ‘Noma’ në Kopenhagë të Danimarkës me pronar Rene Rexhepi është emëruar si restoranti më i mirë në botë për vitin 2021 nga “50 Worlds Best”.

‘Noma’ është renditur në krye të kësaj liste edhe në vitet 2014, 2012, 2011 dhe 2010, restoranti mori këtë titull nga një panel prestigjioz i 1 mijë kritikëve, kryekuzhinierëve dhe restoranteve.

Restoranti ‘Noma’ erdhi deri tek ky vlerësim për menynë inovative dhe përdorimin e përbërësve më të kërkuar.

Foto: “Ëmbëlsirë dredhëze në ‘Noma’, Vogue

“Asnjë udhëtim në ‘Noma’ nuk është i njëjti, ku Rene Rexhepi dhe ekipi i tij në vazhdimësi hulumtojnë për përbërës të papritur dhe i kthejnë ata në pjata të shijshme”, thotë 50 Worlds Best për fituesin.

“Pikat kryesore nga sezonet e mëparshme përfshijnë shawarma vegjetariane, një rosë e shërbyer me këmbë, pendë, sqep dhe zemër dhe mish gaforreje i servuar në një bukë të sheshtë të prerë në formë gaforreje”.

Më herët gjatë këtij viti, ‘Noma’ është shpërblyer edhe me çmimin ‘Three Michelin Stars’.

“Në intervistën e parë me fituesin e Nomas, Rene Rexhepi, ai potencoi se sa shumë kjo gjë ka domethënie për të dhe stafin e tij pas një sfide prej 18 muajsh në këtë industri.

“Është ndjenjë e mrekullueshme, sidomos tani”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se ceremonia e çmimeve ishte hera e parë që ka qenë i mbledhur në një grup, për shkak të krizës me koronavirusin.

“Ngadalë bota po e arrin të kuptoj si të jetojë me këtë virus dhe ndoshta fakti që ne jemi bashkë është një shenjë e mirë për të ardhmen”, tha ai.

Rexhepi po ashtu potencoi se prapa këtij çmimi nuk është vetëm ai por një ekip shumë më i madh.

“Ndonjëherë kur shkon në ceremoni çmimesh si kjo, normalisht aty shfaqet fytyra ime dhe sigurisht të gjithë e dinë se nuk jam vetëm unë. Për mua, Noma është një enigmë gjigante, të gjithë personat e përfshirë, pa marrë parasysh a janë praktikantë apo diçka tjetër kanë një pjesë të vogël që mbush këtë enigmë. Pa secilin , nuk kompletohet”, a ka thënë Rexhepi.

FOTO: Rene Rexhepi me ekipin e tij, duke festuar fitoren/euronews

Përpos restorantit ‘Noma’, edhe çmimi i dytë shkoi në Danimarkë, përkatësisht për restorantin ‘Geranium’, ndërsa vendi i tretë i takoi ‘Asador Etxebarri’ në Spanjë. Euronews