Katër të arrestuar në Danimarkë dhe Holandë për përgatitjen e një sulmi terrorist

Tre njerëz u arrestuan në Danimarkë dhe një tjetër në Holandë nën dyshimin se po përgatitnin një sulm terrorist, tha Policia e Danimarkës të enjten.

Policia nuk tregoi se cilat ishin motivet e të dyshuarve, apo nëse ato ndërlidheshin me militantët islamistë, apo grupet e ekstremit të djathtë.

Shërbimi danez i Inteligjencës dhe Sigurisë, PET, tha në gusht se kërcënimi ndaj Danimarkës ishte rritur shumë pasi aktivistët kundër islamit i kishin njollosur disa kopje të Kuranit gjatë verës.

“Hetimi ka zbuluar se një rrjet i njerëzve po përgatiste një sulm terrorist”, tha të enjten në Kopenhagë Flemming Drejer nga PET.

Ai theksoi se arrestimet dhe bastisjet e kryera të enjten u bënë si pjesë e një hetimi intensiv që PET-i e kishte kryer në bashkëpunim me “partnerët tanë nga jashtë”.

Bastisjet policore janë duke vazhduar nëpër vend, shtoi ai.

Rrjeti kishte lidhje me krimin e organizuar në Danimarkë dhe jashtë saj, përfshirë me një grup kriminal me emrin Loyal to Familia, apo LTF, tha Dreyer, por nuk deshi të tregojë se cilat ishin motivet.

“Kjo është tejet serioze”- tha kryeministri i Danimarkës, Mette Frederiksen për agjencinë e lajmeve Ritzau, në një takim me liderët e BE-së në Bruksel.

“Që disa vite, ne kemi parë se ka njerëz që jetojnë në Danimarkë të cilët nuk na e duan të mirën. Ata janë kundër lirisë sonë dhe kundër shoqërisë daneze”- tha Frederiksen.

PET-i ka paralajmëruar për sulme të mundshme për më shumë se një dekadë. Policia tha se nuk e ka ndryshuar shkallën e rrezikut nga terrorizmi, duke e mbajtur në 4 në një shkallë nga 1-5.

Të arrestuarit në Danimarkë do të përballen me aktakuzë për terrorizëm, sipas Kodit Penal, dhe do të dalin para gjykatësit, tha policia./REL