Një kompani daneze prodhon robotin që e mbush veturën me karburant
Në kohën kur teknologjia po i pushton të gjitha sferat e jetës, metoda e hedhjes së karburantit në rezervuarët e automjeteve është ende një proces mekanik që kërkon aktivitet njerëzor. Megjithatë, kompania daneze Autofuel dëshiron ta ndryshojë këtë metodë.
Autofuel ka zhvilluar një sistem robotik të karburantit që e eliminon nevojën e një shoferi ose punonjësi të karburantit për të qenë i pranishëm. Sistemi përbëhet nga një dorë robotike që hedh karburant, si dhe një aplikacion përmes të cilit identifikohet dhe paguhet klienti, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë pa duar. Ky sistem është një lehtësim për përdoruesit, por edhe një ndihmë e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara.
Kompania Autofuel thotë se procesi i furnizimit me karburant nuk ka ndryshuar në 70 vitet e fundit, ndërkohë që teknologjia është zhvilluar shumë shpejt në mënyrë që sot të kemi internet me shpejtësi të lartë, celularë, asistentë të Inteligjencës Artificiale dhe automjete vetë-ngasëse.
Furnizimi me karburant robotik është një biznes në rritje dhe vetëm tregu evropian pritet të rritet në 50 miliardë dollarë deri në vitin 2028.
Përdoruesi duhet ta krijojë një profil për t’i regjistruar detajet e automjetit, të tilla si modeli, lloji i karburantit, detajet e pagesës dhe numri i regjistrimit. Megjithatë, automjetet që e përdorin sistemin duhet të kenë një kapak të posaçëm rezervuari që procesi të funksionojë. Ekrani do të tregojë udhëzime për parkimin e automjetit në një vend të përshtatshëm për ta kryer procesin e furnizimit me karburant.
Krahu robotik më pas do ta hapë kapakun e rezervuarit dhe do ta vendosë grykën në rezervuar. Klientit do t’i tregohet informacion rreth procesit të furnizimit me karburant dhe do t’i shfaqet një mesazh në ekran kur roboti të përfundojë procesin. Shoferi do të jetë në gjendje ta vazhdojë udhëtimin pasi drita jeshile të ndizet kur roboti e mbyll kapakun e rezervuarit. Ndërkohë po kryhet procesi i pagesës së karburanteve.
Sistemi robotik do të mund të përdoret për alternativa të tilla si energjia elektrike, hidrogjeni, CNG dhe LNG. Megjithatë, klienti do të jetë gjithmonë në gjendje të zgjedhë midis shërbimit manual dhe atij automatik.
Nga ana tjetër, kjo zgjidhje do të bëhet shumë shpejt e nevojshme kur automjetet autonome të fillojnë të lëvizin nëpër rrugë./Klix.ba
Përgatiti: Nuhi Shala