Ilustrim

Dënohet nga Gjykata pasi bashkë më dy të mitur vodhën suxhuk dhe produkte të tjera në një restorant

Një burrë është shpallur fajtor nga Gjykata e Ferizajt për vjedhje të rëndë. Sipas vendimit të Gjykatës, i njëjti bashkë me dy të mitur kanë vjedhur në një restorant produkte në vlerë 300 euro, ndër ta edhe 5 kilogramë suxhuk.

Në vendim thuhet se i pandehuri I.H, në mars të vitit 2020 në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik bashkë me dy të mitur E.V dhe V.Ç, duke përdorur forcën e ka hapur derën e restorantit. Dhe prej atje kishin marrë: një komplet Red Bull, 10 copë Smirnof Ice, një komplet birra të Pejës, një komplet birra të Shkupit, suxhuk rreth 5 kilogram, para të metalta rreth 10 euro, dhe një llaptop.

Kështu të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material rreth 300 euro, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Për këtë vepër penale, i pandehuri I.H është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditëve dhe dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, i obliguar që ta paguajë në afat prej 30 ditëve.

Sipas Gjykatës, në të kundërtën dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim duke llogaritur nga 1 ditë burgim për çdo 20 euro të papaguara.

Në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit, i pandehuri I.H e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës, ka deklaruar se është penduar dhe ka premtuar se nuk do të përsëris vepra të tilla penale, thuhet në vendimin e Gjykatës.