Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës - Foto: 18.01.2024

Rënia e çatisë nga objekti i Komunës së Prishtinës, zyrtarit të kompanisë i hiqet masa e arrestit shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka hequr masën e arrestit shtëpiak të pandehurit, Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. lidhur me rastin e rënies së kulmit të objektit të komunës në lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet më 18.01.2024. 

Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar.

Lirimin nga masa e arrestit shtëpiak e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe avokatja e Bekim Baftjarajt, Besjana Ismajli.

“Po, kështu qëndron, është hequr masa e arrestit shtëpiak”- u shpreh ajo.

Derisa, për të pandehurin Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ia ka vazhduar masën e ndalimit për t’ iu afruar vendit ose personit të caktuar.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj për KALLXO.com bëri të ditur se para skadimit të masave të caktuara më 22.01.2024 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Prokuroria e Prishtinës ka zhvilluar hetime dhe ka parashtuar kërkesat për vazhdim të masave ndaj dy të pandehurve.

“Për të pandehurin Y.J., gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ia ka vazhduar masën e ndalimit për t’ iu afruar vendit ose personit të caktuar, derisa për të pandehurin B.B., gjykata e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për masën e vazhdimit të arrestit shtëpiak duke ia caktuar masën e ndalimit për t’ iu afruar vendit ose personit të caktuar”- ka bërë të ditur Ulaj.

Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. dhe Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, janë dy personat e dyshuar nga Prokuroria për rastin e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare e rastit dhe u dëmtuan disa vetura të parkuara.

Gjykata e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda më 24.01.2024  e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për 1 muaj për të dyshuarin Bekim Baftjaraj, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërkaq për të dyshuarin Ylber Jashari, zyrtar i komunës, ishte caktuar masa e ndalimit që për një muaj të mos i afrohet vendit të caktuar – Komunës si dhe kontakti me kolegët e punës për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Ne shkresat e lëndës rezulton se më datën 11 gusht 2023 – deri më datën 18 janar 2024 në Ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, i dyshuari Ylber Jashari në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar të përfitoj materialisht në mënyrë të kundërligjshëm kompanisë “NBT ING” SH.P.K.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, i dyshuari Ylber Jashari ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Kadastrit të Komunës së Prishtinë edhe pse realisht aty, sipas prokurorisë, nuk ishte punuar dhe nuk ishin bërë punimet sipas kontratës.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se më datën 11 gusht 2023 – deri më datë 18 janar 2024, në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë, respektivisht nga Ndërtesa Kadastrale e Komunës së Prishtinës, i dyshuari Bekim Baftjaraj në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “NBT ING” SH.P.K., i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore në kulm, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.

Pas ketij rasti, Komuna e Prishtinës më 11.02.2024  mori vendim për formimin e një komisioni për vlerësimin e gjendjes fizike të objekteve të cilat menaxhohen nga Kryeqyteti.