Ekskluzive - Për çka dyshohet zyrtari komunal dhe ai i kompanisë për rastin e rënies së kulmit nga objekti i Komunës së Prishtinës?

Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. dhe Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, janë dy personat e dyshuar nga Prokuroria për rastin e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare e rastit dhe u dëmtuan disa vetura të parkuara.

Gjykata e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për 1 muaj për të dyshuarin Bekim Baftjaraj, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërkaq për të dyshuarin Ylber Jashari, zyrtar i komunës, është caktuar masa e ndalimit që për një muaj të mos i afrohet vendit të caktuar – Komunës si dhe kontakti me kolegët e punës për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit dhe mbrojtësit e tyre, përkatësisht, avokati Sevdali Zejnullahu dhe avokatja Besjana Ismajli, i kanë kundërshtuar kërkesat e prokurorisë, duke theksuar se nuk ka bazë ligjore për caktimin e masave ndaj klientëve të tyre.

Nga shkresat e lëndës rezulton se më datën 11 gusht 2023 – deri më datën 18 janar 2024 në Ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, i dyshuari Ylber Jashari në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar të përfitoj materialisht në mënyrë të kundërligjshëm kompanisë “NBT ING” SH.P.K.

Prokuroria pretendon se i dyshuari me këto veprime e ka dëmtuar buxhetin e Komunës në shumën prej 36,450.29 euro.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, i dyshuari Ylber Jashari ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Kadastrit të Komunës së Prishtinë edhe pse realisht aty sipas prokurorisë nuk ishte punuar dhe nuk ishin bërë punimet sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë ky pranim i punimeve nga Ylber Jashari, ka mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, gjë që sipas pretendimeve të prokurorisë e dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro.

Po ashtu prokuroria pretendon se më datën 11 gusht 2023 – deri më datë 18 janar 2024, rreth orës 13:30 minuta, në lagjen Arbëria në Prishtinë, respektivisht nga Ndërtesa Kadastrale e Komunës së Prishtinës, i dyshuari Bekim Baftjaraj në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “NBT ING” SH.P.K., i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore në kulm, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.

Me këtë veprim sipas Prokurorisë “të rrezikshëm apo mjet të rrezikshme”, është konsideruar të ketë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe dëme të konsiderueshme pasurore.

Prokuroria po ashtu pretendon se me rastin e punimeve i dyshuari Bekim Baftjaraj, nuk ka kryer si duhet punët në sanimin e kulmit të ndërtesës, me ç’ rast ka kryer punë tjera e jo ato sikurse në pozicionet 2.2 , 2.3 , 5.1 , 5.13 dhe 5.14, të kontratës.

Tutje sipas Prokurorisë, si pasojë e këtyre punimeve një pjesë e kulmit bie në tokë në pjesën e rrugës qarkulluese, trotuarit dhe objektit përreth, duke lënduar rëndë të dëmtuarën Elza Ujkani, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër veturat e parkuara përreth.

Të gjitha këto rrethana gjyqtarja e procedurës paraprake Medie Bytyçi i ka cilësuar të atilla që tregojnë veprime inkriminuese me rrezikshmëri të lartë duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, andaj ka vlerësuar se kësisoj janë plotësuar kushtet për aplikimin e masave të lartcekura ndaj të dyshuarve.

Prokuroria e Prishtinës kishte bërë të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Bekim Baftjarajt, i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, kurse ndaj zyrtarit të komunës Ylber Jashari është kërkuar masa e ndalimit të afrimit të vendit apo personit.

Këta persona janë të dyshuar për rastin e rënies së një pjesë të kulmit të objektit të ri të komunës së Prishtinës në Lagjen “Arbëria” në kryeqytet, ku mbeti e lënduar rëndë një 23-vjeçare.

“Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar vendit të caktuar apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” – thuhej në përgjigjen e prokurorisë për KALLXO.com.

Një ditë pas ngjarjes, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) kishte publikuar të dhënat për shpejtësinë e erës në kohën kur ndodhi rënia e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, duke thënë se një forcë e tillë nuk mund të shkaktonte dëme.