Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Refuzohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve të Apelit, që ishte bërë nga avokati i ish-ministrit që mohoi Masakrën e Reçakut

Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili akuzohet nga Prokuroria për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Këtë lajm për refuzim të kësaj kërkese, e ka konfirmuar për KALLXO.com zyrtari për informim publik i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Po Gjykata e Apelit ka refuzuar, kërkesën për përjashtimin e kolegjit të Gjyqtarëve të Apelit, të bërë nga avokati i Ivan Todosijeviq”, ka thënë Jashari për KALLXO.com.

KALLXO.com pati raportuar për kërkesën e bërë nga mbrojtësi i Todosijeviq, Nebojsa Vlajiq, shtruar gjatë seancës në Gjykatën e Apelit.

Ai pati thënë se, paraqet kërkesë për përjashtimin e çdo anëtari të kolegjit që është shqiptar, pasi sipas tij, nga klienti i tij është fyer tërë popullsia shqiptare, që është pala e dëmtuar në këtë rast dhe kjo i bie që asnjë gjyqtar shqiptar nuk duhet të gjykojë këtë çështje penale.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai ishte gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi… Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Ish ministri i dënuar nga Themelorja për mohimin e masakrës së Reçakut, më 24 qershor para Gjykatës së Apelit