Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Mohoi masakrën e Reçakut, dënohet ish-ministri i Listës Serbe

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999 ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Lajmin për dënimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com, gjyqtari i rastit Musa Kongjeli.

“Po është e vërtetë sot është shpallur aktgjykimi dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim efektiv prej 2 viteve”, tha gjyqtari Kongjeli.

Todosijeviq është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare tetorit pasi fitoi 14,865 vota.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të Ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Mohoi masakrën e Reçakut, aktakuzë ndaj ish-ministrit Ivan Teodosijeviq

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte Trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.