Mbrojtja e ish-ministrit i cili mohoi masakrën e Reçakut kërkon përjashtimin e gjyqtarëve të Apelit

 

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca ndaj ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili akuzohet nga Prokuroria për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Në këtë seancë i akuzuari Todosijeviq nuk ishte i pranishëm, mirëpo ai u përfaqësua nga avokati i tij Nebojsa Vlajiq.

Avokati Vlajiq tha se ka vërejtje sa i përket kompetencës së Gjykatës, për të cilën ka parashtruar kundërshtimin me shkrim paraprakisht dhe po ashtu pati vërejtje sa i përket përbërjes së kolegjit.

Avokati Vlajiq tha se, kjo çështje gjyqësore duhet të zhvillohet në divizionin e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, pasi sipas tij ai kolegj është formuar për këto çështje.

“Kolegji i Gjykatës së Apelit, nuk është i përbërë sipas marrëveshjes së Brukselit dhe sipas rregullores së punës së Gjykatës, kolegji i Gjykatës së Apelit duhet të përbëhet nga dy gjyqtarë serb dhe një gjyqtar i një kombësie tjetër. Kjo vlen nëse një vepër penale është kryer në një komunë, ku shumica e popullsisë është serbe dhe nëse është kryer nga një serb, si në këtë rast”, theksoi avokati Vlajiq.

Tutje ai tha se, paraqet përjashtimin e çdo anëtari të kolegjit që është shqiptar, pasi sipas tij nga klienti i tij është fyer tërë popullsia shqiptare, që është pala e dëmtuar në këtë rast dhe sipas tij asnjë gjyqtar shqiptar nuk duhet të gjykojë këtë çështje penale.

Gjykata refuzoi kundërshtimin e mbrojtjes sa i përket kompetencës, që mbrojtja pretendon se e ka Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë.

“Kolegji nxjerrë aktvendim, ashtu që refuzohet kundërshtimi i mbrojtjes sa i përket kompetencës, që mbrojtja pretendon se e ka divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, nga fakti se kjo aktakuzë është ngritur nga Prokuroria Speciale, Prokuroria Speciale ka kompetencë dytësore për vepra penale të tilla”, tha kryetari i kolegjit Burim Ademi.

“Rrjedhimisht dispozitat e Ligjit për Gjykata, të datës 18 dhjetor 2012 kanë përcaktuar krijimin e departamentit special në nivel të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, për të trajtuar lëndë të Prokurorisë Speciale dhe sipas nenit 42 të Ligjit për Gjykata, është kompetent vetëm departamenti special pranë Gjykatës së Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit, për të shqyrtuar aktakuzat dhe ankimimet”, shtoi gjyqtari Ademi.

Ndërsa sa i përket përjashtimit të kolegjit, kryetari i kolegjit tha se kompetent për këtë çështje është kryetari i Gjykatës së Apelit dhe kjo çështje do t’i drejtohet atij.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999 ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të Ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte Trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.