Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Ish ministri i dënuar nga Themelorja për mohimin e masakrës së Reçakut, më 24 qershor para Gjykatës së Apelit

 

Sipas kalendarit të seancave të Gjykatës e Apelit, seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili akuzohet nga Prokuroria për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes, do të mbahet më 24 qershor 2021.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai ishte gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të Ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte Trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi… Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Mbrojtja e ish-ministrit i cili mohoi masakrën e Reçakut kërkon përjashtimin e gjyqtarëve të Apelit