Rasti i tetë të akuzuarve për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë, flasin dëshmitarët
Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani, Izet Koplinger janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat e kontrabandimit me migrantë dhe krim të organizuar.
Në seancën e sotme u bë dëgjimi i dy dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.
Ndërkaq njëri prej dëshmitarëve të ftuar nuk prezentoi, me ç’rast kryetari i trupit gjykues – Kujtim Krasniqi paralajmëroi sjelljen e tij të detyruar përmes policisë.
Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Kujtim Krasniqi – kryetar dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Valon Kurtaj. Ndërsa prokurore e rastit është Florije Shamolli.
Dëshmitari i parë, S.I, u përgjigj ndaj pyetjeve të prokurores Florije Shamolli e cila ishte e vetmja palë që parashtroi pyetje.
I njëjti deklaroi se në periudhën 2020 – 2021 i kishte humbur patent-shoferi dhe se kur kishte shkuar të regjistronte veturën në kompaninë e sigurimeve “Sigal” ku i kishin thënë se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa patent-shofer.
Në vazhdim pronari i kësaj kompanie, O.B, i kishte ofruar të bënte sigurimin e automjetit tek kompania e tij me ç’rast do të i kushtonte 300 euro sigurimi kurse 200 euro për t’ia nxjerrë pantent-shoferin.
Sipas dëshmitarit, pas tre ditësh ky person e kishte kontaktuar dhe i kishte thënë se nuk mundet ti’a kryejë shërbimin për të cilin ishin pajtuar, por mund të i nxirrte një patent-shofer jo origjinal të cilin mund ta bëjë një shok i tij në Serbi.
Lidhur me dëshminë e dëshmitarit, avokati Bekim Kafexholli i cili në këtë procedurë përfaqëson të akuzuarin Florim Krasniqi, tha se ka vërejtje pasi që është tejkaluar objekti i shqyrtimit.
Tutje dëshmoi dëshmitarja D.V., të cilës po ashtu i parashtroi pyetje vetëm prokurorja Florije Shamolli.
D.V., tha se kur e kanë ftuar për intervistim në polici i janë prezantuar një dokument – pasaportë ku kanë figuruar të dhënat e saj, por fotoja ka qenë e një gruaje tjetër.
Këtë grua, e njëjta deklaroi se nuk e ka njohur.
Në polici i ishin prezantuar edhe fotot e disa personave të tjerë, por që as ata dëshmitarja nuk i kishte njohur.
Seancat e radhës lidhur me këtë rast do të mbahen me datat 18 dhe 19 shtator. 2023.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur akuzohen se që nga viti 2020 deri në vitin 2021 në role të ndara kanë vepruar si grup kriminal me qëllim të kontrabandimit me migrantë.
Pretendimet e Prokurorisë janë se Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat dhe Samet Murati kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin në vendet e ndryshme ndërsa në krye të këtij grupi sipas Prokurorisë është Florim Krasniqi, i cili dyshohet se ka krijuar laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Tutje në dosje të këtij rasti thuhet se përmes të akuzuarit Hasani madje edhe vetë Florim Krasniqi këto dokumente ua kanë dërguar qytetarëve të ndryshëm përmes postave të shpejta ose vetë personalisht.
Po ashtu Florim Krasniqi dyshohet se ka bashkëpunuar me Taulant Bilallin në atë mënyrë që kanë gjetur shtetas të Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vende të ndryshme dhe kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe dokumente të tjera.
Prokuroria akuzon Koplingerin, Malokun dhe Sadat dhe Samed Muratin se në këtë rast kanë pasur rolin e ndërmjetësuesve.
Këtë rol ata akuzohen se e ushtruan duke gjetur persona të interesuar për dokumente të tilla dhe ia kanë marrë të dhënat personale pastaj ato të dhëna ia dërguan Florim dhe Florent Krasniqit.
Po ashtu Florim dhe Florent Krasniqi në lidhje me këtë për 2-3 orë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer tek ndërmjetësuesit, të cilat dokumente këta të fundit ua dorëzuan blerësve dhe kanë përfituar shuma të ndryshme parash dhe atë deri në 3,000 euro.
Përveç kësaj Izet Koplinger akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.