Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raportimi i drejtorit të Kardiokirurgjisë në bord: 4 dhoma për pacientë, 5 dhoma për personel

Sikurse në Urologji edhe në Kardiokirurgji numri i dhomave për personel është më i lartë se ai për pacientë.

Klinika e Kardiokirurgjisë ka 4 dhoma për pacientë, me 14 shtretër dhe 5 dhoma për personel.

Këto kapacitete do të rriten pas përfundimit të renovimit të Klinikës. Renovimi kap vlerën 750 mijë euro.

KALLXO.com kishte raportuar se në Urologji janë 8 dhoma për pacientë e 9 për personel.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, kishte raportuar këto të dhëna në mbledhjen e bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës më 21.02.2024. Ai kishte folur edhe për përmirësimin e situatës me infeksionet brendaspitalore dhe raporteve ndërkolegiale, listat e pritjes, numrin e operacioneve, referimet jashtë vendit e të tjera.

Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme, Shurdhiqi kishte thënë se kanë hartuar një plan për rritjen e hapësirave dhe shtim të shtretërve, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë. Renovimi i Klinikës, siç kishte theksuar Shurdhiqi, do të përfundojë në maj ose qershor me hapësira jo të kënaqshme, por megjithatë më mirë sesa aktualisht.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 06.03.2024 ka bërë të ditur se në Kardiokirurgji do të rritet numri i shtretërve nga 4 në 10 në mjekimin intensiv, dhomat për infeksione të rënda po izolohen sipas standardeve europiane dhe se po bëhen nyje sanitare të reja,

“Sallat e operimit janë në proces të renovimit e riorganizimit në përputhje me nevojat dhe standardet kardiokirurgjike. Numri i shtretërve në repart është rritur. Klinika do ta ketë depon për barna, hapësirën për materiale kirurgjike, arkivën dhe dhoma për personelin shëndetësor” – ka shkruar Vitia në Facebook.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia viziton Klinikën e Kardiokirurgjisë e cila po renovohet.
Foto: Arben Vitia, Facebook, 06.03.2024.

Në mbledhjen e bordit, Shurdhiqi kishte treguar se si kanë vepruar për të kontrolluar situatën me infeksione brendaspitalore.

“Kemi filluar marrjen e mostrave në sallat operative dhe repart, të sipërfaqeve punuese, pajisjeve dhe aerondotjes të cilat më herët nuk janë marrë asnjëherë. Tani kemi situatë të kontrolluar. Rastet e infektuara parimisht izolohen dhe trajtohen sipas protokolleve” – kishte thënë.

Ai kishte shtuar se raportet ndërkolegiale janë përmirësuar dhe po punojnë në vazhdimësi për përmirësim të mëtejshëm.

“Raportet ndërkolegiale, që e dini në fillim të vitit të kaluar kanë ekzistu (problemet) tashmë janë pothuajse të relaksuara” – kishte theksuar ai.

Lista e pritjes për operacion të hapur të zemrës, sipas Shurdhiqit, është zbritur nga 170 në 49 pacientë brenda një viti.

“Sot nuk pritet më shumë se 2-3 muaj për operacion elektiv në zemër. Lista e pritjes (në fund të dhjetorit) nuk kalon mbi 49 pacientë” – kishte theksuar Shurdhiqi.

Referuar raportimit të tij, në Kardiokirurgji punojnë 7 mjekë specialistë, 15 infermierë e 8 instrumentarë. Ai kishte nënvizuar nevojën për më shumë infermierë e instrumentarë, duke marrë parasysh nevojën për përcjelljen e vazhdueshme të gjendjes së pacientëve.

Ky staf ka realizuar 320 operacione gjatë vitit 2023, ka trajtuar 402 pacientë të shtrirë e ka referuar rreth 12 raste për trajtim jashtë vendit.

Rastet që referohen jashtë vendit, siç tha Shurdhiqi, janë për implantim të pajisjeve të cilat forcojnë punën e zemrës. Sipas tij, këto procedura kryhen nga qendra të shkëlqyera. Ai tha se duke marrë parasysh se Klinika e Kardiokirurgjisë në Kosovë është hapur 10 vjet më parë, ka arritur sukses të madh me operacionet që kryhen aty.

“Ato raste që i çojmë jashtë, kanë arsye jashtëzakonisht të plotë që duhet me shku në një qendër ekselente për një procedurë që nuk është kryer te na” – kishte shtuar ai.

Shurdhiqi ka theksuar se pacientët e Kosovës nuk kanë arsye që të shkojnë në rajon për operime që kryhen në Kosovë, pasi që pritjet 3-4 mujore janë normale kudo në botë.

Kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi, kishte vënë në pah që sipas numrit të operacioneve, i bie që është më pak se një pacient për një mjek në javë dhe kërkoi që të rritet numri i operacioneve.

Udhëheqësi i Klinikës kishte theksuar se duhet të kihet parasysh se operacionet kardiokirurgjike janë komplekse dhe nuk kryhen nga vetëm një specialist, por nga dy ose tre.

Mesatarja e shfrytëzimit të shtretërve gjatë vitit 2023 ka qenë 99.2%, ndërkaq qëndrimi mesatar i pacientëve ka qenë 12.6 ditë.

Bardiqi e konsideroi shifrën e fundit si të lartë, e cila ndikon edhe në rritjen e shfrytëzimit të shtretërve.

Ekspertët e huaj, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, kanë paraparë që mesatarja e shfrytëzueshmërisë së shtretërve në QKUK duhet të jetë 85%.

Shpejtim Shurdhiqi ka marrë udhëheqjen e Kardiokirurgjisë më 12.01.2023, pas shkarkimit të paraardhësit të tij, Rifat Brahimaj.

Shkarkimi i Brahimajt kishte ndodhur pas rastit të vdekjes së një pacienti pasi që ai u operua në QKUK, për të cilën, Brahimaj tha se mjekët që kanë kryer operacionin nuk kanë qenë kompetentë.

Bordi i SHSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.