Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, Facebook

Klinika e Urologjisë - 8 dhoma për pacientë, 9 për personel

Klinika e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka 8 dhoma për pacientë, e 9 për personel. Ndërsa ka 20 specialistë e 24 infermierë për 24 shtretër. Këta specialistë realizuan 1 mijë e 83 operacione e trajtuan 1 mijë e 376 pacientë të shtrirë.

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) konstatoi se këto shifra janë joproporcionale me njëra tjetrën.

Këto të dhëna u prezantuan të shtunën më 24.02.2024 para bordit, nga drejtori i kësaj klinike, Petrit Nuraj.

“Nuk do mend që numri i mjekëve është në disproporcion me numrin e shërbimeve. Një mjek e ka 1-3 pacientë të shtrirë në javë. Kjo do të ishte pak edhe në ditë” – tha Kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi.

Prandaj, ai kërkoi nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi që të bëhet racionalizimi i burimeve njerëzore në nivel vendi.

“Nuk munden me qenë 20 mjekë, 20 infermierë, është totalisht e huqur” – tha ai.

Drejtori Nuraj tha se janë të vetëdijshëm për këtë disproporcion.

“Në të kaluarën janë bërë transfere prej klinikave të tjera. Edhe ne e dimë që jena ma tepër” – tha ai, i cili shtoi se me këtë numër të operacioneve, më parë ka hyrë çdo ditë në sallë të operimit, por tani vetëm një apo dy herë në javë.

Në këtë mbledhje u fol edhe për numrin e dhomave për personel, për të cilin u tha se është i lartë.

“Drejtorit i duhet zyra për shkak se ka punë administrative, duhet me pas edhe kryeinfermieri një zyrë, edhe barnatorja qendrore, por të tjerat nuk kanë fort arsyetim” – tha Bardiqi.

Numri i madh i zyrave nëpër klinika është përmendur edhe në mbledhje të kaluara. Drejtori Azizi tha se javën e kaluar i është dorëzuar një raport voluminoz lidhur me këtë temë.

“Besoj që do t’ua prezantojmë në njërën prej mbledhjeve të ardhshme” – tha ai.

Anëtari i bordit, Dren Boshnjaku tha se studimi i fizibilitetit i vitit 2018 ka paraparë që me 8 specialistë duhet të ketë më shumë operime, se sa janë realizuar me 20 sosh.

Drejtori i Urologjisë, Nuraj u arsyetua me mungesën e anesteziologëve, siç kanë bërë shumica e drejtorëve të klinikave. Ai tha se në vitin 2018 kanë pasur më shumë anesteziologë, ndërsa siç tha ai, këtë vit kanë pasur raste që s’kanë pasur anesteziologë për 4 ditë.

Kreu i Urologjisë tregoi edhe për referimet jashtë vendit. Ai tha se gjatë 2023-tës kanë referuar 32 raste, teksa shtoi se 2 në vitin 2022 janë referuar 68 raste, e 79 raste në 2021.

Arsyeja e disa referimeve, sipas raportit të prezantuar nga ai ka qenë mungesa e barnave esenciale adekuate të anestezionit.

E kur u pyet lidhur me këtë, ai tha se ky është arsyetimi i dhënë nga anesteziologët, e që sipas tij ata hezitojnë t’i marrin disa raste, për shkak të përvojës së vogël.

“Kemi raste që vdekshmëria goxha e madhe, ata po hezitojnë edhe po i dërgojmë pastaj. Ata gjithmonë thonë nuk kemi barna për mjekim intensiv duhen kushte më të veçanta. Me thanë të drejtën edhe kanë përvojë pak në këtë drejtim. Aty pacienti mundet me na vdekë, është të tumoret e gjëndrës mbiveshkore, se mundet me pas ngritje shumë të lartë të tensionit edhe mundet me na mbet pacienti në tavolinë” – tha ai.

Sipas tij, ata e kryejnë këtë procedurë kirurgjike, dhe e kanë kryer edhe më parë, por tha se anesteziologët e vjetër kanë shkuar, e të rinjtë hezitojnë pak.

“Ata le t’na thonë neve kryejmë, na këto raste asnjë se çojmë jashtë” – shtoi ai.

Drejtuesi i Urologjisë tha se në klinikë pranojnë shumë pacientë në gjendje të rëndë nga spitalet private, të cilët paraprakisht janë trajtuar atje për një kohë të gjatë.

Lista e pritjes për shërbime, në dhjetor ka qenë deri në 4 javë, sipas raportimit të tij.

Objekti i Urologjisë është duke u rinovuar. Sipas Nurajt, pas përfundimit të punimeve, kësaj klinike do t’i shtohen edhe dy salla operative, nga dy sa ka aktualisht. Ai kërkoi edhe shtimin e shtretërve në klinikë.

Ai po ashtu tha se nuk kanë arritur të sigurojnë aparatura dhe disa pjesë të tyre, pavarësisht kërkesave në vazhdimësi. Për tre mujorin e ardhshëm, ai tha se planifikon rritjen e numrit të operacioneve.

Nuraj raportoi edhe se shfrytëzueshmëria e kapaciteteve ka qenë 79.13 për qind ndërsa mesatarja e qëndrimit të pacientëve në klinikë 4.4. Këto të dhëna, nuk iu dokën fort të sakta kryesuesit Bardiqi, i cili kërkoi që të verifikohen.

Ekspertët e huaj, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë paraparë që mesatarja e shfrytëzueshmërisë së shtretërve në QKUK duhet të jetë 85%.

Ankesa për mungesën e anesteziologëve ka qenë emërues i përbashkët i disa klinikave që kanë raportuar para bordit të ShSKUK-së, përfshirë katër prej klinikave kirurgjike dhe Ortopedia. QKUK ka hapur dy konkurse për pranimin e 3 anesteziologëve. Konkursi i parë, i hapur më 12.01.2024 për një anesteziolog është me kontratë maksimumi dy-vjeçare, ndërsa konkursi për dy të tjerë, i hapur më 16.02.2024 është me kohë të pacaktuar.

Bordi i ShSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari.